
Dëmtimi i urës së fshatit Qafëzezë në bashkinë e Kolonjës, ka vënë në vështirësi banorët e të gjitha fshatrave të njësisë administrative Çlirim, të cilët shprehen të indinjuar me situatën ku kanë përfunduar, pasi sipas tyre një gjë e tillë ishte paralajmëruar disa herë prej tyre, por pushteti lokal nuk mori asnjë masë.
Ndërsa kalimi i mjeteve është ndaluar, vetë banorët e të paktën 12 fshatrave rrezikojnë së bashku me fëmijët duke kaluar në urën e dëmtuar, e cila mund të rrëzohet plotësisht në çdo moment, përsa kohë prurjet e ujërave të lumit Osum vijojnë të mbeten në nivele të larta.
Në lidhje me këtë situatë, nënprefekti i Kolonjës, Adriatik Braçe, jashtë kamerave deklaroi se është bërë gati nga ana inxhinierike një projekt që sjell zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi.
Deri në këtë zgjidhje, sipas nënprefektit, nuk përjashtohet mundësia e një ure Bel nga ana e forcave të armatosura për të mundësuar kalimin e mjeteve. (A2 Televizion)
