Situata në fshatin turistik të Dardhës është shumë e rëndë pasi e gjithë linja e tensionit të mesëm që furnizon këtë fshat është e ngarkuar me borë të ngrirë, sikurse edhe pemët. Nga ngarkesa e dëborës ka pemë të rrëzuara të cilat kanë rënë mbi linjat elektrike duke shkaktuar e ndërprerjen e energjisë për 136 abonentë në fshatin turistik. Kjo konfirmohet edhe nga emergjencat civile të bashkisë.
“Furnizimi me energji elektrike ka qenë normal, për shkak të ngarkesës në rrjet ka patur ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike në zonën turistike Dardhë rreth 136 abonentë. Grupet e punës vazhdojnë punën në terren për riparimin e defekteve të konstatuara. Strukturat e EC dhe Institucioni i Prefektit janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës”, njoftojnë Emergjencat Civile.
A2 CNN mëson se prej tri ditësh dy grupe pune te OSSHE janë duke punuar për të mbajtur në kontroll situatën me furnizimin e energjisë elektrike në fshatin turistik të Dardhës
Punonjësit fillimisht janë duke bërë prerjen e pemëve të rrëzuara dhe shkundjen e akullit në linjat elektrike. Burime pranë OSSHE bëjnë me dije se 136 familje të fshatit Dardhë dhe fshatrave përreth mund t’u rikthehet energjia elektrike mbrëmjen e sotme.
Ndërkohë situata në territorin e Qarkut të Korçës, është normale dhe pa problematika. Moti ka qenë kryesisht me vranësira dhe temperatura në rritje. Të gjitha akset kryesore nacionale e turistike janë plotësisht të kalueshme, subjektet kontraktore kanë monitoruar situatën në rrugët e zonat me risk.
Gjithashtu edhe rrugët dytësore e lidhëse në bashki janë të hapura dhe pa probleme. Nga ana e bashkive dhe gjatë ditës së sotme do të vazhdojë puna për hapjen, zgjerimin dhe përmirësimin e rrugëve lidhëse në fshatra të veçantë. Strukturat e EC në bashki nuk raportojnë problematika dhe situata emergjente. (A2 Televizion)