Moti i keq me reshje shiu dhe dëbore ka përfshirë të gjithë territorin e vendit. A2 CNN raporton se reshjet e borës më të dendura në juglindje të vendit janë në lartësinë mbi 900 m, aty ku trashësia ka shkuar deri në 15 cm. Më shumë se 26 mjete borëpastruese janë në gatishmëri për të mbajtur të hapura rrugët ku trashësia e dëborës është më e madhe.
Policia njofton se është në gatishmëri në të gjitha akset rrugore për të parandaluar aksidentet dhe për të për të ndihmuar drejtuesit e mjeteve, në rast nevoje. Sipas policisë akset problematike janë të kalueshme, pavarësisht prezencës së dëborës.
“Shërbimet e Policisë, në krye të detyrës, pavarësisht temperaturave të ulëta. Duke qenë se territori i qarkut Korçë është përfshirë nga reshje dëbore, shërbimet e Policisë janë në gatishmëri në të gjitha akset rrugore, për të parandaluar aksidentet rrugore dhe për të ndihmuar drejtuesit e mjeteve, në rast nevoje. Akset rrugore “Boboshticë-Dardhë”, “Voskop-Voskopojë”, “Zvezdë-Pustec-Dogana Giricë, Korçë-Vithkuq” dhe “Qafë Qarr-Ersekë-Leskovik”, janë të kalueshme, pavarësisht se ka prezencë të dëborës”, njofton Policia.
Probleme paraqesin rrugët Vithkuq-Shtyllë-Mashkullorë, Voskopojë-Lekas si dhe ato të fshatrave të Devollit të Sipërm.
Borëpastrueset janë në terren, për të mundësuar kalimin pa problem në të gjitha akset rrugore.
Policia e Korçës iu bën thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës, që të shmangin lëvizjet e panevojshme në rrugë, të jenë të kujdesshëm dhe të përdorin pajisjet dimërore për automjetet e tyre, ndërsa në raste emergjence të kërkojnë ndihmën e Policisë në numrin 129.
(A2 Televizion)