Pas transferimit në burgun e Fierit, deputeti demokrat Blendi Himçi i bëri thirrje nga studio e Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN Erion Veliajt që të bëhet i penduari i drejtësisë. Sipas deputetit demokrat vetëm kështu mund të shkojë përpara.
“Unë do të thoja dhe diçka për Erjon Veliajn. Në qoftë se ka një rrugë që Erjon Veliaj do ta çojë përpara është që të bëhet i penduar i drejtësisë”, apeloi deputeti Himçi.
Sipas tij transferimi i kryebashkiakut të Tiranës, është me urdhër të Ramës dhe modeli që përdor kryeministri ndaj çdo personi brenda partisë së tij që ngre zërin.
“Ky është modeli që Rama përdor ndaj çdo personi që brenda partisë së tij kundërshton apo ngre zërin është modeli për ta bërë shembull që të gjithë të tjerët të vihen në rresht. Ky është modeli për të cilin shikohet dhe nuk ka këtu as çështje procedurash, as çështje teknikalitetesh, pse u transferua. Ky është një urdhër i drejtpërdrejtë i Edi Ramës për ta bërë shembull Erjon Veliajn që të rrisë masën e presionit ndaj të vetëve, të cilët shpesh herë kanë ngritur zërin. Deputetë me integritet por që normalisht edhe diskutimet e tyre kanë mbetur në kuadër të një diskutimi hipokrit se në fund të ditës kartonat kanë qenë gjithmonë ashtu siç ka thënë Rama”. (A2 Televizion)