Deklarata e deputeti demokrat Blendi Himçi se dorëheqja e kryeministri Edi Rama është shumë e afërt, nxiti debatin në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Gazetarja Kostana Morava akuzoi PD-në se vendi ndodhet në këtë situatë edhe për shkak të opozitës, e cila sipas saj nuk ka sjellë shpresë në këto 13 vite dhe as alternative për t’u përballur me mazhorancën.
“Ndjej keqardhje që PD dhe opozita ka përfunduar në këtë pikë që përsërit të njëjta slogane dhe nuk gjen brenda vetes forcën për ta luftuar këtë mazhorancë me seriozitet. Është e qartë që na kanë lënë në këtë pikë edhe si pasojë e ca kostove që opozita nuk do ti marrë përsipër. Një opozitë e dobët, e përçarë nuk jep garanci nga ana e votuesve. Ju që nuk kënaqeni me asgjë, hidhni flakadanë. Bashkohuni dhe bëni një opozitë të fortë dhe detyrojeni mazhorancën t’ju dëgjojë. Ju jeni të përçarë. Më vjen keq që të shoh të njëjtin kaos e dhunë edhe në parlament. Duhet ti vini gishtin kokës. Nuk keni projekt konkret. Reagoni dhe na sillni një frymë shprese se 13 vite në opozitë PD nuk ka mbjellë shpresë”, iu drejtua ajo deputetit demokrat në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Përkundër këtyre deklaratave Himçi u përgjigj se qeveria ka ngritur një model korruptiv dhe se pastrimi i parave e krimi i organizuar kanë cenuar zgjedhjet duke futur deputetë që përfaqësohen nga krimi në parlament.
“Kanë ngritur një model korruptiv të ka krijuar një narkoshtet. Pastrimi i parave krimi i organizuar që cenon zgjedhjet keni deputetë që përfaqësohen nga krimi në parlament. Ky është modeli që ka ngritur Edi Rama. Ai model që do vinte të korruptuarit para togave të zeza nuk ekziston. Të japë dorëheqjen Edi Rama dhe gjithçka bie në qetësi”, tha ndër të tjera Himçi.
(A2 Televizion)