Avokatja Greta Ambeli, e ftuar në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN, ka shpjeguar procedurat që duhet të ndjekin qytetarët për të përfituar dëmshpërblim nga siguracioni, në një kohë kur aksidentet rrugore dhe pasojat e tyre janë rritur ndjeshëm.
Ambeli sqaroi se për dëmet materiale deri në 30 mijë lekë të reja nuk është e nevojshme prania e policisë, pasi palët mund ta zgjidhin situatën me marrëveshje mes tyre. Kjo, sipas saj, ndihmon në shmangien e trafikut dhe konflikteve të panevojshme.
Por, në rastet kur ka dëmtime shëndetësore, prania e Policisë është e domosdoshme. “Nëse ngjarja nuk referohet në polici dhe prokurori, individi e ka shumë të vështirë të rifitojë të drejtën për dëmshpërblim”, theksoi ajo, duke nënvizuar rëndësinë e ndjekjes së procedurave ligjore.
Një element kyç mbetet vendngjarja, ku duhet të fiksohen të gjitha provat e mundshme, pasi ato shërbejnë për të përcaktuar shkakun e aksidentit.
“Është një situatë shumë problematike e krijuar dy javët e fundit, shifrat kanë qenë alarmante. Është rritur frikshëm niveli i pasojave në njerëz, ku në 48 orët e fundit ka pasur 6 persona që kanë humbur jetën. Për dëmet materiale deri në 30 mijë lekë të reja nuk është e nevojshme prania e policit. Për këto dëme individët mund ta zgjidhin me njëri-tjetrin, kjo shmang trafikun dhe zënkat. Në momentin që një person ka pësuar dëmtime shëndetësore, duhet me patjetër që shërbimi i Policisë të jetë në vendngjarje, sepse nëse ngjarja nuk referohet në polici dhe prokurori, individi e ka shumë vështirë ta rifitojë të drejtën e tij për dëmshpërblim. Prandaj është shumë e rëndësishme që ngjarja të referohet në Prokurori dhe Polici, që të kryejnë veprimet hetimore", u shpreh Ambeli.
"Është shumë i rëndësishëm vendi i ngjarjes. Duhet bërë e pamundura që të gjitha provat të fiksohen në vendngjarje, sepse janë shumë të rëndësishme për të përcaktuar shkakun determinant. Së fundmi ka nisur edhe një mënyrë e re që është leximi i kutisë së zezë, që po përdoret kohët e fundit dhe ka rezultuar shumë efikase. Mbrapa polices së sigurimit kemi dy rubrika, shkaktari dhe përfituesi. Duhet të plotësojnë me njëri-tjetrin, rubrikën e shkaktarit dhe të përfituesit korrekt, të bëjnë një foto të polices së sigurimit të shkaktarit, lejës së qarkullimit të shkaktarit dhe patentës së shkaktarit dhe fotot. Duhet të paraqiten te kompania e sigurimit brenda 5 ditëve, nëse kalon humbet”, tha avokatja. (A2 Televizion)