Visho Ajazi Lika, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, foli mbi kapacitetet që ka vendi ynë për të garantuar sigurinë gjatë samitit të NATO-s, që do të organizohet vitin e ardhshëm.
Në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, ai theksoi se institucionet e sigurisë së vendit tonë “duhet të kenë filluar tashmë identifikimin e të gjithë rreziqeve potenciale”.
“Pavarësisht se të gjithë udhëheqësit që do vijnë këtu do kenë truprojat e tyre, detyra e institucioneve të sigurisë së Shqipërisë, në veçanti Shërbimi Informativ Kombëtar, Policinë e Shtetit dhe të gjithë institucionet e sigurisë së Shqipërisë, duhet të kenë filluar tashmë identifikimin e të gjithë rreziqeve potenciale. Kam asistuar në 4-5 samite dhe vijnë gati 1 000 veta. Është më të vërtetë një ndërmarrje jashtëzakonisht e rëndësishme sigurie. Sigurisht, institucionet shqiptare do të kenë mbështetjen e institucioneve të vendeve përkatëse, do të kenë mbështetjen e NATO-s, që kanë ardhur që përpara një viti për të diskutuar për gjithë elementet e sigurisë. Mund të them kaq: vetëm automjetet e blinduara duhet të jenë me qindra. Do të thoja që është një ndërmarrje shumë e guximshme, por nga ana tjetër na bën nder që të bëhet një samit i NATO-s në Shqipëri”, tha ish-kreu i SHISH-it.
Kur u pyet nëse ka diçka për të cilën institucionet e sigurisë nuk duhet t’i zërë gjumi, Visho Ajazi Lika theksoi: “Mos harrojmë që ne jemi shumë më afër Lindjes së Mesme dhe Iranit sesa është NATO në Bruksel ose Shtetet e Bashkuara. E dyta, duke pasur parasysh pozicionin tonë ndaj Iranit, duke pasur parasysh edhe ato muxhahedinët që janë këtu, ne mund të bëhemi objektiv i spiunazhit, mund të bëhemi objektiv i akteve të sabotazhit etj. Prandaj, është imediate që të ketë filluar tashmë evidentimi i të gjithë masave të sigurisë që duhen marrë. Nuk është se do lihet vetëm në dorën tonë. Por, mos harroni, ne jemi të zotët e shtëpisë”.
(A2 Televizion)