Klodian Rjepaj, ish-zv.ministri i Shëndetësisë, i cili qëndron në paraburgim prej gushtit të vitit 2023 do të lirohet për pak orë të premten. Në orën 10:00 ai pritet të paraqitet në godinën e Kuvendit për të dëshmuar në Komisionin Hetimor për çështjen e “Sterilizimit”.
Burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve konfirmuan për A2 CNN, se Rjepajt i është miratuar leje e posaçme për të lënë qelinë përkohësisht dhe shkuar në Kuvend, veprim që më herët ka marrë dakordësi nga prokurorët e SPAK.
Ish-zv.ministri i akuzuar nga Prokuroria e Posaçme për “mashtrim”, me pasoja të rënda, “falsifikim të dokumenteve” dhe “shpërdorim të detyrës” do të shoqërohet nga parabugrimi drejt Kuvendit dhe anasjelltas nga autoritetet policore të Burgjeve.
Po sipas burimeve për A2, "ok" për të shkuar në Kuvend si dëshmitar ka marrë edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, po ashtu i paraburgosur me kërkesë të SPAK për "Sterilizimin".
Ndërkohë, mes dëshmitarëve kryesore të parashikuar për t’u pyetur në hetimin parlamentar është ish-ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili qëndron në qeli për llogari të një hetimi penale.Në seancën e së enjtes në Gjykatën e Posaçme, për shqyrtimin paraprak të kërkesës së SPAK për të kaluar në gjykim “Sterilizimi”, ish-ministri Beqaj i kujtoi gjykatës se do të pyetej si dëshmitar në Kuvend.
“Do të duhet të zbërthej të gjitha aktet dhe argumentet, një pjesë e të cilave në këtë fazë janë sekret hetimor dhe deklarimet e mia mund të përbëjnë shkak për shkelje të vendimit të gjykatës për mospublikim”, është shprehur Beqaj.
Nga ana e saj gjykata i kërkoi ish-ministrit të pandehurit të paraqesë një kërkesë, që më pas togat e zeza të dalin me një qëndrim. Pas gati 4 orësh seancë, gjykata vendosi të vijojë më 3 tetor, seancën e shqyrtimit paraprak të çështjes “Sterilizimi”, ku veç Beqajt, Rjepajt e Rrapajt, akuzohen edhe 6 persona të tjerë. (A2 Televizion)