Ish-drejtori i Policisë Arben Hajdarmataj nuk e përjashton edhe anën politike në sulmin ndaj avokatit Sokol Mëngjesi të ndodhur më 29 maj në zonën e Ish-Bllokut. Këtë dyshim ai e lidh me faktin që Mëngjesi aktualisht është avokat i Sali Berishës. Në studion e Ditarit të Fundjavës me Erion Dushin në A2 CNN, ai tha se kjo nuk do të kishte ndodhur nëse ai do të kishte qenë avokat i ndonjë ministri të kësaj qeverie.
“Rast i paprecedentë, çdo qytetar ndjehet i keqardhur për atë që i ka ndodhur avokatit dhe pedagogut të drejtësisë. Për momentin ai është avokat i Berishës dhe kjo i jep një konotacion poltike pavarësisht nga mënyra sesi është zhvilluar ngjarja, nuk mund të zhvishet nga kjo pjesë. Kam bindjen se po të kishte qenë avokat i ndonjë ministri, nuk do t’i kishte ndodhur pavarësisht nga qëllimet e agresorëve nuk mund të zhvishet që ka lidhje edhe me politikën”.
Që të vërtetohet qëllimi i vërtetë i kësaj ngjarjeje, për Hajdarmatajn duhet të ndalohen edhe autorët e identifikuar. Sipas tij Hajdarmataj thekson se duhet të mblidhen provat juridike që të vërtetohet se qëllimi është ai për të cilin thuhet nga institucionet, për një çështje gjyqi. Sipas tij do të ishte skandaloze nëse kjo ngjarje do të kishte lidhje me politikën.
“Një nga agresorët është vetëdorëzuar. Kjo ngjarje është zbardhur nga deklarimet e autorit të vetëdorëzuar. Do të duhen prova e fakte që të vërtetohet qëllimi, është e rëndësishme që qytetarët të jenë të qartë. Sipas raportimeve nga institucionet shtetërore thuhet se sulmi ka ndodhur për çështje gjyqi dhe qëllimi ka qenë për ta trembur. Nëse jemi para këtij fakti, është deri diku e zbardhur, por unë kam hijet e dyshimet sesi në mes të ditës në Tiranë, autorët nuk arrijnë të kapen nga policia në një ambient të mbushur e stërmbushur me kamera nga bizneset e bashkia. Autorët e dyshuar deri në këto momente nuk janë kapur. Shpresoj që të bëhet ndalimi i tyre sa më shpejt, në mënyrë që të mblidhen provat juridike që të vërtetohet se qëllimi është ai për të cilin thuhet se nëse ka qëllime të tjera që mund të kenë lidhje me politikën, kjo është skandaloze dhe e pakuptimtë për një shtet normal”.
Hajdarmataj thekson se vendi është në një situatë kritike sa i takon rendit dhe sigurisë dhe një nga arsyet sipas tij është qasja e pushtetit ndaj qytetarëve. Sipas tij opinioni publik është i kontaminuar nga situata e dhunës dhe kriminalitetit në vend
“Jemi në situatë kritike përsa i përket rendit e sigurisë në mes të ditës në sy të fëmijës, të goditet një personalitet i drejtësisë dhe agresorët nuk kanë asnjë lloj frike. Nuk ka normalitet. Një nga arsyet është mënyra sesi pushteti i qaset qytetarëve të vet. Mos të harrojmë që këto veprimtari kriminale që publikohen, gjithë kjo administratë që përfshihet në korrupsion e aferë kjo e infekton edhe opinionin publik dhe kontaminon gjithë situatën e rendit. Ambienti ynë është i kontaminuar me aktivitet kriminal. Dhe krijohet situatë e favorshme kriminale. Kjo gjendje që po kalojmë si shoqëri i jep vetëbesim atyre që mund të kryejnë çdo lloj krimi dhe janë të pafrikësuar nga institucionet. Shoqëria nuk ka reagim”. (A2 Televizion)