
Ministrja e Brendshme Albana Koçiu ka reaguar pas hedhjes së fishekzjarreve dhe molotovëve drejt Kryeministrisë. Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu dënon inkurajimin e akteve të dhunës, sipas saj nga drejtuesit e opozitës dhe u bën thirrje organizatorëve të mbajnë larg të miturit për të mos rrezikuar jetën e tyre të e qytetarëve.
“Dënojmë çdo inkurajim aktesh dhune nga drejtues të opozitës. U bëjmë thirrje organizatorëve të protestës që t’u bëjnë apel simpatizantëve që të shmangin aktet e dhunës dhe të mbajnë të miturit larg çdo akti që do të rrezikonte jetën e tyre dhe qytetarëve. Dhuna nuk është zgjidhje! Dhuna është shfaqje e dëshpërimit nga ata që në vend të alternativës krijojnë skena që rrezikojnë jetën e qytetarëve, policëve e gazetarëve”, shkruan Koçiu krahas fotove nga hedhja e fishekzjarrëve dhe molotovëve në protestë.
Sipas saj “ata të rinj e të mitur që përfshihen në akte dhune nuk janë as heronj e as trima, por janë të keqpërdorurit e atyre që në mënyrë patologjike vijojnë të mbështeten te dhuna, pa mundur të ndërtojnë alternativë tjetër veç shkatërrimit”. (A2 Televizion)