Diaspora shqiptare rikthehet në Vlorë, do t’i bashkohet protestës së “Flamingove”

Nga Edi Ruçi
21 Gusht 2026, 16:31 | Aktualitet

Diaspora shqiptare rikthehet në Vlorë, do t’i bashkohet

35 vjet pas eksodit të anijes “Vlora”, një delegacion i “Global Sumud Flotilla” është nisur nga Brindizi drejt Vlorës për të mbështetur protestën e njohur si “Revolucioni i Flamingove”.

Në delegacion marrin pjesë aktivistë italianë, ambientalistë, gazetarë dhe pasardhës të emigrantëve shqiptarë të vitit 1991, të cilët pritet të mbërrijnë në Vlorë më 21 gusht.

Në mbrëmje, në orën 19:00, do t’i bashkohen protestës së Flamingove. Më 22 gusht, rrugëtimi do të vijojë me takime me komunitetet e zonës Vjosë-Nartë dhe me protestën e Flamingove në Tiranë.

NJOFTIM PËR SHTYP

Bijtë e anijes “Vlora” rikthehen në atdhe

Tridhjetë e pesë vjet pasi anija “Vlora” kaloi Adriatikun me mbi 20 mijë shqiptarë në bord, një delegacion i “Global Sumud Flotilla” niset më 20 gusht nga porti i Brindizit drejt Vlorës, kësaj here në drejtim të kundërt, për t’iu bashkuar, në shenjë solidariteti, Revolucionit të Flamingove.

Delegacioni, që përbëhet nga aktivistë italianë, ekspertë të mjedisit, gazetarë dhe pjesëtarë të diasporës shqiptare, mes tyre edhe fëmijët dhe pasardhësit e atyre që u nisën nga Vlora në gusht të vitit 1991 në kërkim të një jete më të mirë, do të mbërrijë me tre anijet e veta në Vlorë më datë 21 gusht.

Qëllimi i këtij udhëtimi është mbështetja e protestës që prej më shumë se 80 ditësh mbron pasuritë kombëtare dhe natyrore të Shqipërisë, një mobilizim që sot njihet në gjithë botën si Revolucioni i Flamingove.

Një kthim simbolik i diasporës

Ftesa u bë publike më 8 gusht, jo rastësisht: kjo datë përkon me ditën kur në vitin 1991 mbi 20 mijë njerëz u nisën nga Vlora në kërkim të azilit politik dhe mbërritën me anije në portin e Brindizit. Shtegu është i njëjti, por këtë herë drejtimi është i kundërt.

Gushti i vitit ’91 shënon fillimin e periudhës së vështirë të largimeve masive të popullatës nga Shqipëria dhe fillimin e tranzicionit politik. Ky rrugëtim, i shoqëruar nga pasardhësit e atyre që udhëtuan për në Itali 35 vite më parë, bëhet për të shënuar simbolikisht kthimin e popullit në vendin e vet dhe për t’i dhënë fund tranzicionit përmes zgjimit të popullit shqiptar në revolucionin që po zhvillohet.

Mesazhi i miqve tanë italianë

Për aktivistët dhe qytetarët italianë, ky udhëtim është njohje e sakrificës së popullit tonë dhe e padrejtësive e vështirësive të shkaktuara nga shteti italian. Ai feston solidaritetin mes popujve tanë dhe përcjell një mesazh mbështetës për një revolucion shembullor në Europë e në botë për mbrojtjen e natyrës, pronës dhe të drejtës së emigrantëve e vendasve për t’u kthyer e për të jetuar të lirë në tokën e tyre.

Qytetarët italianë kanë parë prej vitesh se si popullsia e Pulias largohet nga toka e vet për shkak të projekteve të hotelerisë luksoze, të financuara nga të njëjtët investitorë që tani synojnë Sazanin dhe Parkun Kombëtar Vjosë–Nartë. Ata i njohin mirë këta investitorë, mënyrat e tyre të organizimit dhe të implementimit të projekteve.

Pulia dhe Sazani janë dy territoret që formojnë kanalin e Otrantos — hyrja e vetme ujore për kontrollin e detit Adriatik. Prandaj Flota “Sumud” qëndron edhe kundër ekspansionit ekonomik, financiar e politik që synon kontrollin strategjik të Mesdheut dhe të brigjeve të tij.

Në këtë betejë të tyre ndërkombëtare, ata janë frymëzuar nga revolucioni ynë dhe kanë ardhur për të na inkurajuar dhe për të ndarë vlerat tona të përbashkëta përmes këtij udhëtimi detar drejt Shqipërisë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos