Doni të sillni fëmijë në jetë? Ja analizat për gruan dhe burrin!

Nga A2 CNN
24 Maj 2025, 19:49 | Aktualitet

Nëse një çift i ri, për më shumë se 12 muaj, tenton për konceptim dhe nuk arrihet në shtatzani, kjo është shenja e parë që vizita te mjeku nuk duhet të shtyhet më tepër. Janë disa analiza që mjekët i rekomandojnë për çiftin, nga analizat më të thjeshta e deri te histeroskopia. Shkaktarët e moskonceptimit janë të shumtë, nga infeksionet e zakonshme e deri te gjenetika. Klamidia është një nga infeksionet që mund të shkaktojë mbylljen e tubave të gruas. E ftuar në studion e emisionit “Diagnozë” në A2 CNN, nga moderatorja dhe autorja Freskida Miloti, mjekja obstetër – gjinekologe Dr. Hysnie Aliko tha se për gruan ka disa analiza, ndërsa për burrat mjafton vetëm spermograma.

“Në qoftë se një çift brenda 12 muajsh nuk arrin të konceptojë një fëmijë, do të drejtohet patjetër te specialisti. Me rritjen e moshës, edhe kjo pritje nuk duhet të jetë 12 muaj. Në qoftë se mosha është 25 vjeç, në 10 çifte pa u mjekuar, tetë duhet të ngelen shtatzënë. Me rritjen e moshës, në qoftë se mosha kalon mbi 30 vjeç, në 10 çifte ngelen gjashtë çifte shtatzënë. Këto janë statistika që i ka e gjithë bota. Mbi 35 vjeç, sidomos është mosha që mund të thuash, mosha optimale biologjike ku infertiliteti ka një kurbë që vjen duke rënë. Mbi 35 vjeç, në 10 çifte mund të ngelen katër. Mbi 40 vjet, nga 10 çifte mund të ngelen dy. Pra, me rritjen e moshës, duhet sa më shpejt të drejtohet te specialisti” – tha mjekja.

Shumë çifte po shtyjnë moshën e të bërit prind. Nëse dikur mosha e çifteve për t’u bërë prindër ishte midis 25 – 28 vjeç, aktualisht ka kaluar në të tridhjetat. Mirëpo, me rritjen e moshës së gruas, shanset për të mbetur shtatzënë bien ndjeshëm, po ashtu edhe trajtimi mjekësor.

“Gjëja e parë do të bëhet një vizitë gjinekologjike, duke parë nëse mund të ketë malformacione të aparatit riprodhues. Do të bëhet një ekzaminim shumë i rëndësishëm që quhet historosalpingografia, për të parë nëse tubat janë të hapur apo jo. Veç kësaj, është dhe një aparat shumë i rëndësishëm, që është histeroskopia. Me anë të histeroskopisë, do të shikohet nëse tubat – histerosonografi quhet – janë të hapur apo jo. Nëse nuk janë të hapur, atëherë detyrimisht do të bëhet një fekondim artificial, sepse janë jashtë funksionit. Merren analizat e zakonshme për të parë nëse ekziston ndonjë infeksion. Mashkulli do të bëjë vetëm një analizë, që është spermograma dhe analiza për infeksione, që mund të ketë ndonjë infeksion” – shtoi gjinekologia Hysnie Aliko.

Një alternativë tjetër sesi çiftet mund të bëhen me fëmijë është edhe nëpërmjet marrjes së vezëve nga një vajzë më e re. Në botë, sot, përveç bankave të spermës, ka edhe banka që ruajnë vezët. Në rastin e një gruaje 35-40 vjeçe, aplikimi i vezëve të marra nga një vajzë 20-25 vjeçe mund të rezultojë i suksesshëm.

“Femrat që kanë një menopauzë të parakohshme, që nuk arrijnë dot të kenë vezë, një mundësi tjetër është dhurimi. Këto bëhen me dhurim, marrin vezë nga banka të caktuara dhe ashtu siç merr gjakun që ka nevojë, marrin edhe vezë ose spermë nga bankat që janë enkas për këtë. Këto janë probleme shumë aktuale, kur gruaja ka një moshë më të avancuar, mbi 35 ose 40 vjeç. Atëherë vezët e saj, edhe sikur të ekzistojnë, nuk janë aq të pjekura. Kurse veza merret nga një vajzë që është 20 deri në 25 vjeç. Janë gjenetikisht të studiuara dhe përshtatshmëria bëhet në bazë të grupit të gjakut dhe kështu rritet përqindja e suksesit” – shpjegoi mjekja gjinekologe.

Emisioni Diagnozë, nga moderatorja dhe autorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:15, me tematika të ndryshme dhe mjaft të rëndësishme për shëndetin. Ritransmetimi i emisionit është çdo të diel po në orën 18:15. Qëndroni të informuar nga mjekët më profesionistë që janë pjesë e emisioneve tona, për një shëndet më të mirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos