“Kërkesa e Veliajt e pabazuar”, Begaj i kërkon Kushtetueses të shpallë moskompetencë për dekretin e zgjedhjeve në Tiranë

Nga A2 CNN
15 Tetor 2025, 16:45 | Politikë

“Kërkesa e Veliajt e pabazuar”, Begaj i kërkon

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i ka kërkuar zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese të shpallë moskompetencën për shqyrtimin e dekretit të tij të 1 tetorit 2025, që caktonte datën e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë Tiranë. Ky dekret u pezullua përkohësisht nga Gjykata pas një padie të paraqitur nga kryetari i shkarkuar i Bashkisë, Erion Veliaj.

Në një qëndrim zyrtar drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Kreu i Shtetit kërkon deklarimin e moskompetencës për dekretin nr. 350, datë 1.10.2025, heqjen e pezullimit të menjëhershëm të dekretit dhe rrëzimin e kërkesës së Veliajt si të pabazuar në Kushtetutë.

Sipas Presidencës, dekreti për zgjedhjet është një akt administrativ kolektiv dhe si i tillë nuk bie nën juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas tyre ka ndërhyrë në mënyrë të paprecedentë dhe antikushtetuese në një proces që nuk i përket. Ndërkohë, shkarkimi i Veliajt nga Këshilli i Ministrave konsiderohet si akt administrativ individual.

“Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për të shqyrtuar një dekret që përcakton datën e zgjedhjeve. Ndaj pezullimi i tij është një arbitraritet që cenon shtetin e së drejtës”, thuhet në shkresën e Presidencës, e cila thekson se Gjykata duhet të tërhiqet nga shqyrtimi i dekretit dhe të lirojë Presidentin nga statusi i palës së interesuar.

Po ashtu, pas përfundimit të shqyrtimit të padisë së Veliajt, Presidenti i kërkon Gjykatës të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të organizojë zgjedhjet për Bashkinë Tiranë, në një datë jo më të afërt se 30 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit.

Sipas Kreut të Shtetit, ky është i vetmi mekanizëm që mund të rivendosë kushtetutshmërinë e një procesi që është devijuar në mënyrë të papranueshme nga vetë Gjykata Kushtetuese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos