Ka tatuazh Putinin dhe shtetësi ruse e serbe, kush është balerini i njohur që ndëshkoi Zelensky

Nga A2 CNN
15 Tetor 2025, 16:36 | Bota
Ka tatuazh Putinin dhe shtetësi ruse e serbe, kush është balerini

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky nënshkroi më 14 tetor një dekret për t’i hequr shtetësinë ukrainase balerinit të njohur Sergei Polunin, për shkak të mbështetjes së tij të hapur ndaj agresionit rus dhe lidhjeve të forta me Moskën.

Lajmi u konfirmua nga burime të sigurisë dhe u raportua nga Kyiv Independent.

Polunin, i lindur në rajonin e Khersonit, një zonë që ka pësuar dëme të mëdha nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, ka mbajtur më parë tre shtetësi, atë ukrainase, ruse dhe serbe. Ai është bërë i njohur jo vetëm për talentin e tij në balet, por edhe për qëndrimet e tij politike kontroverse, përfshirë një tatuazh të presidentit rus Vladimir Putin në gjoks dhe deklaratat se “gjithmonë e ka konsideruar veten rus”.

Artisti ka shprehur publikisht mbështetje për pushtimin rus të Ukrainës, përfshirë edhe ndaj pushtimit të përkohshëm të qytetit të tij të lindjes, Kherson.

Edhe pse Zelensky nuk e përmendi Poluninin me emër në deklaratën e tij, ai tha se ishin marrë "vendime të përshtatshme" ndaj personave që kanë shtetësi ruse, duke nënkuptuar një masë më të gjerë ndaj bashkëpunëtorëve të mundshëm me Rusinë.

Së bashku me Poluninin, shtetësia ukrainase iu hoq edhe kryetarit të bashkisë së Odesës, Hennadiy Trukhanov, si dhe ish-politikanit ukrainas të kthyer në bashkëpunëtor të Kremlinit, Oleg Tsaryov.

Sergei Polunin u bë i njohur ndërkombëtarisht me performancën e tij në videoklipin “Take Me to Church” nga Hozier, si dhe me rolet në filmat "Red Sparrow" dhe "Murder on the Orient Express". Karriera e tij është shoqëruar nga polemika të shumta, përfshirë akuza për përdorim substancash dhe deklarata të ashpra homofobike dhe seksiste.

Ai ka shërbyer si drejtor në Teatrin e Operas dhe Baletit të Sevastopolit dhe si kreu i përkohshëm i Akademisë së Koreografisë së Sevastopolit në Krimenë e pushtuar nga Rusia nga fundi i vitit 2019 deri në verën e vitit 2024.

Më vonë, pas sulmeve të rënda në zonën e tij të origjinës pranë Khersonit, Polunin publikoi një mesazh ku shprehte keqardhje për civilët dhe i bënte thirrje Putinit që ta përfundonte luftën, duke shtuar se “edhe marrëveshja më e keqe do të ishte më e mirë se lufta”.

Në fund të vitit 2024, balerini njoftoi largimin nga Rusia, duke deklaruar se "shpirti i tij nuk ishte në vendin e vet". Nuk dihet ende se ku Polunin ndodhet aktualisht. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos