Hyrja e qytetit të Fierit do të ketë së shpejti një pamje të re, falë një projektit për rikonstruksionin e rrugës “Çeligrad” me gjatësi rreth 1,2 kilometra, e cila ndodhet në lagjen “Mbrostar Ferko” dhe shtrihet nga përfundimi i rrugës “Kastriot Muço” deri tek Bypass-i.
Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet në kantier, së bashku me Zv/Kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, e cila theksoi se kjo vepeër do të dorëzohet javën e ardhshme.
Aktualisht në kantier po kryhen punimet për vendosjen e shtyllave të ndriçimit publik dhe punime të gjelbërimit, si dhe janë drejt përfundimit punimet për ndërtimin e trotuareve.
“Kjo është një tjetër vepër e cila dorëzohet javën e ardhshme. Kjo është hyrja ose siç njihet nga zona, Çeligradi. Këtu është bërë gjithë mobilimi urban, jo vetëm rruga, jo vetëm zgjerimi. Më pas kemi ndryshuar projektin për të bërë dhe trotuaret, por dhe gjithë mobilimin urban, ndriçimin, pemët që janë mbjellë”, shpjegoi zv.kryeministrja Balluku.
Ndërkohë ka filluar puna për një rrugë kryesore që do lidhë qytetin e Fierit me bregdetin, që është rruga e Darzezës. Është bërë një rikualifikim në parkun e Apollonisë për të lidhur bypass-in, parkimin dhe hyrjen e parkut të Apollonisë.
Në të gjithë pjesën përtej Fierit, janë duke u bërë ndërhyrje nëpër rrugë me shtresa asfaltimi, si rruga e Cakranit apo Ballshit. Gjithashtu, janë prekur të gjitha pikat në territor për të krijuar një lloj sinergjie, në raport me zhvillimin, jo vetëm në zonën e qytetit, por edhe zonën rurale, bujqësore.
(A2 Televizion)