Tragjedia në Maqedoninë e Veriut ka tronditur edhe Shqipërinë. Liderët e politikës shqiptare kanë shprehur ngushëllimet për viktimat e tragjedisë së Koçanit.
Presidenti Bajram Begaj shprehet se është i tronditur nga humbja e jetëve të të rinjve dhe uron shërimin sa më të shpejt të të lënduarve, shkruan A2.
“Ngushëllimet e mia të sinqerta shkojnë për familjarët që humbën të afërmit e tyre dhe për të gjithë popullin fqinj të Maqedonisë së Veriut. Lutjet e mia dhe të popullit shqiptar shkojnë për të lënduarit, që të gjejnë shërim të shpejtë e të mos rëndojë më shumë dhimbja në qytetin e Koçanit”, tha Begaj.
Kryeministri Edi Rama shkruan se është pa fjalë nga kjo tragjedi dhe i ka shprehur ngushëllimet homologut të tij të Maqedonisë së Veriut: “Jam pa fjalë dhe lutem që të lënduarit të shërohen dhe që familjarët e viktimave të gjejnë forcën të përballojnë humbjen e tyre të pangushëllueshme. I përcjell po ashtu kryeministrit Mickovski dhe autoriteteve të vendit fqinj ngushëllimet në emër të Shqipërisë e shqiptarëve, duke shprehur gatishmërinë për çfarëdoqoftë ndihma jonë mund të jetë e nevojshme”.
Një mezash ngushëllimi e ndau dhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali: “Pikëllues lajmi mbi tragjedinë e tmerrshme në Koçan të Maqedonisë së Veriut, ku humbën jetën disa dhjetra vajza e djem. Jam pranë familjeve që humbën njerëzit e tyre të dashur. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë. Forcë e kurajë popullit dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut në përballimin e kësaj fatkeqësie të madhe.”
Edhe kreu i opozitës, Sali Berisha, në një postim në mediat sociale shkruan se është i tronditur dhe shpreh ngushëllimet e tij për familjet e viktimave: “Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në vendin mik. Shpreh ngushëllimet më të ndjera të mia dhe të Partisë Demokratike për familjet e viktimave, si dhe solidaritetin tonë me autoritetet lokale dhe qendrore të Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu, lutemi për një shërim sa më të shpejtë dhe të plotë të të plagosurve në këtë tragjedi të tmerrshme”.
Për tragjedinë kanë reaguar edhe liderët e tjetë të opozitës, të cilët po ashtu shprehin ngushëllime për familjet e viktimave dhe urojnë që të lënduarit të shërohen sa më shpejt. (A2 Televizion)