Dumani kritikon Manjën, kreu i SPAK: Rekomandimet e qeverisë, deklarative, jo të zbatueshme

Nga A2 CNN
19 Maj 2025, 12:27 | Aktualitet

Dumani kritikon Manjën, kreu i SPAK: Rekomandimet e qeverisë,

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja prezantoi rekomandimet për drejtësinë në luftën kundër krimit për vitin 2025.

Kërkohet respektimi i të drejtave të njeriut, që duhet të jetë në qendër të punës së Prokurorisë. Kërkohet respektim i parimit të prezumimit të pafajësisë, respektimit të të drejtave procedurale të të pandehurve dhe viktimave, shmangia e vonesave të pajustifikuara në hetime dhe përdorimi proporcional i masave të sigurimit. Institucionet e drejtësisë orientohen të promovojnë procedurat e posaçme, veçanërisht për të miturit dhe rastet kur vendimi mund të jepet me alternativa efektive ndaj burgimit. Forcimi i luftës kundër kriminalitetit, kërkohet rritje e hetimeve të nisura dhe ndjekje penale për korrupsionin veçanërisht të niveleve të larta dhe hetime financiare për pasuri me origjinë kriminale. Të forcohet bashkëpunimi ndërkombëtar e po ashtu lufta ndaj krimit kibernetik, integriteti, transparenca dhe përgjegjshmëria. Prokuroria duhet të forcojë kontrollin përtej procesit të vettingut, duhet trajtuar seriozisht çdo ankesë dhe të rritet transparenca për qytetarët. Kërkohet miratimi i standardeve të qarta për etikën dhe profesionalizmin si dhe publikimi i praktikave të punës në përputhje me legjislacionin. Mbrojtja e të dhënave personale dhe respektimi i sekretit hetimor”, tha Ulsi Manja.

Rekomandime, të cilat u kritikuan nga ana e kreut të SPAK, Altin Dumani, duke i cilësuar si të pashoqëruara me analiza dhe të vështira për ti realizuar.

Pasi jemi njohur me rekomandimet nuk mund të rri pa thënë disa elementë, disa gjetje tonat. Rekomandimet nuk shoqërohen me të dhëna statistikore, analizë krahasuese apo tregues konkret që justifikon nevojën për ndërhyrje. Kjo mungesë i bën rekomandimet të duken subjektive dhe vështirë të matshme sidomos për SPAK që funksionon mbi bazën e efikasitetit, rezultateve dhe besueshmërisë publike. Rekomandimet tek një pjesë e tyre përdorin terma të përgjithshëm si hetimet proaktive, forcimi i qasjes strategjike, por nuk ofrojnë asnjë përkufizim operacional. Kjo krijon pasiguri për zbatimin praktik dhe mund të çojë në interpretim të ndryshëm nga institucionet zbatuese. Disa nga rekomandimet janë shumë të përgjithshme dhe nuk përcaktojnë objektiva të matshëm, institucione përgjegjëse apo burime konkrete duke rrezikuar të mbeten jo të zbatueshëm. E thashë për t’i bërë parapri, sepse ne në fund të çdo viti raportojmë edhe përmbushjen e rekomandimeve të Këshillit të Ministrave. Kështu që patjetër në tërësinë e tyre rekomandimet janë të mirëpritura dhe shprehim angazhimin maksimal si institucion që këto rekomandime të jenë në prioritetin e punës së institucionit, por nga ana tjetër disa prej tyre nga mënyra se si janë formuluar apo si janë konceptuar nga pikëpamja praktike paraqesin vështirësi për tu zbatuar. Dhe unë që tani konstatoj vështirësi se si do të raportoj për përmbushjen e këtyre rekomandimeve”, u shpreh Dumani.

Ndërsa kreu i Prokurorisë së Përgjithshme i kërkoi që qeveria të angazhohet për të përmirësuar infrastrukturën, sidomos në Tiranë.

I rëndësishëm për ndjekjen e rekomandimeve do të jetë sidomos për Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm plotësimi i organikave. Ngritja e seksioneve të posaçme dhe njësive të specializuara kërkon njerëz pasi ende ne kemi 35% të mungesave në organikë, le të themi kjo relativizon shumë mundësinë e ndjekjeve të rekomandimeve. E dyta që doja ta ngrija zoti ministër është një çështje që ka të bëjë me infrastrukturën, sidomos me prokurorinë Tiranë dhe me gjykatën e këtij rrethi, është çështje urgjente. Shpresoj në vijimin e përpjekjeve për një zgjidhje, pasi cilësia në ndjekjen e hetimeve lidhet edhe me sigurimin e kushteve të punës”, tha Çela.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos