Presidenti i Republikës, Begaj, kryesoi delegacionin shqiptar që mori pjesë në Vatikan në ceremoninë e inaugurimit të Papa Leoni XIV, ku merrnin pjesë personalitete të rëndësishme nga vende të ndryshme të botës.
Kreu i Shtetit pati edhe një takim me Papa Leoni XIV, të cilit i shprehu urimet më të përzemërta me rastin e zgjedhjes At i Shenjtë dhe Peshkop i Kishës Katolike Romake.
“I lumtur që isha pjesë e ceremonisë së inaugurimit të Papa Leoni XIV në Selinë e Shenjtë, Vatikan. Le të frymëzohemi nga misioni i Papa Leoni XIV për paqen dhe ndërtimin e urave të dialogut për të përballuar bashkë sfidat dhe pasiguritë. Besoj se Papa Leoni XIV do të sjellë paqe, harmoni dhe unitet në botë. Shqipëria pret me padurim të vazhdojë marrëdhënien e ngrohtë e të sinqertë me Vatikanin”, tha Presidenti përmes një postimi në Facebook.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës përgëzoi Atin e Shenjtë për misionin e tij në ruajtjen e paqes dhe ndërtimin e urave të dialogut në një botë të mbushur me sfida dhe pasiguri. Presidenti Begaj theksoi se udhëheqja e tij shpirtërore përfaqëson një zë që jep shpresë, dhembshuri dhe unitet ndërmjet njerëzve.
Në këtë ceremoni Presidenti u shoqërua nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe Ambasadorja e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Frangaj. (A2 Televizion)