E planifikuar për më 20 maj, shtyhet hapja e kampeve të emigrantëve në Shëngjin e Gjadër

Nga A2 CNN
9 Maj 2024, 12:07 | Aktualitet

E planifikuar për më 20 maj, shtyhet hapja e kampeve të

Ishte planifikuar për t’u hapur më 20 maj, por qendrat e pritjes së emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër nuk do të jenë të aksessueshme nga kjo datë.

Në një njoftim të bërë në mars, prefektura e Romës përcaktonte se shërbimet në këtë qendër do të nisnin “jo më vonë se data 20 maj 2024”.

Por media italiane ANSA raporton se çelja e dy kampeve në Shqipëri, që do të presin 36 mijë emigrantë në vit, është shtyrë për shkak të vonesave në punime.

Firma italiane që po punon në kantieret e Shëngjinit dhe Gjadrit, bazuar në marrëveshjen e arritur mes Romës dhe Tiranës, nuk ka përfunduar ende ndërtimin e strukturave mikpritëse.

Hapja e dyerve të qendrës së pritjes duhet të konfirmohej nga Ministria e Brendshme italiane, 15 ditë para me një njoftim zyrtar, por ende nuk ka një sinjalizim të tillë.

Ndërkohë bëhet me dije se kontratën për menaxhimin e objekteve për 24 muaj e ka fituar kompania Medihospes me një ofertë prej 133.8 milionë euro.

Pika e hyrjes së emigrantëve do të jetë në portin e Shëngjinit, me qendrën që do të ketë kapacitet për 880 emigrantë dhe do të përdoret vetëm për kontrollet fillestare shëndetësore dhe mbledhjen e kërkesave për azil.

Ndërkohë, në dy qendrat e tjera në Gjadër, emigrantët do të duhet të presin një përgjigje ndaj kërkesës së tyre për azil ose riatdhesim të mundshëm, një proces që do të zgjasë maksimumi 28 ditë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos