Edukimi financiar, Credins Bank me një paketë risish në Javën Ndërkombëtare të Sipërmarrjes

Nga Marinela Lina
25 Nëntor 2024, 15:38 | Aktualitet

Në kuadër të javës ndërkombëtare të sipërmarrjes, Credins Bank organizoi një takim special me 60 nxënës dhe student të shkollave të ndryshme, mbi rëndësinë e edukimit financiar.

Të ftuar në panel për të diskutuar mbi disa tema që rrisin vetëdijen mbi menaxhimin e financave te brezat e rinj ishin ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, drejtues të Credins Bank, Ministrisë së Shtetit dhe Rinisë, Bankës së Shqipërisë, si dhe nga shoqëria civile. Duke ju përmbajtur edhe projektit të qeverisë për të projektuar nisma edukuese tek brezat e rinj në të gjithë Shqipërinë, Credins Bank do të jetë një nga aktorët kryesor që do ti bashkohet kësaj nisme.

“Do ndalem te një paketë e dizenjuar “Personalisht për ty”. Bëhet fjalë për paketën e rinisë për të rinjtë. Është pa komision, është falas dhe ka një grup produktesh bazike. Është llogaria bankare, aplikacioni bankar na mundëson të shohim veprimet e të tjera. Karta “Prepay” me fonde të kufizuara mbushet nga prindërit te studentët. Pa komision çelje, pa komision mirëmbajtje, pa komision mbyllje, për moshat nga 18-25 vjeç”, tha Elona Kapseri, departamenti i menaxhimit të shitjeve, Credins Bank.

Nga ana tjetër, ministrja Ibrahimaj theksoi faktin se ka ardhur koha që të rinjtë të rrisin aftësitë menaxheriale të financave të tyre dhe se për këtë qeveria shqiptare, në bashkëpunim edhe me sektorin privat, janë duke investuar me plane afatgjata dhe përfshirjen e edukimit financiar në kurrikulat shkollore.

“Në fakt, duke filluar nga viti i ardhshëm do fillojmë një program intensiv me edukimin financiar, rritjen e përdorimit të pagesave nga bizneset dhe nxitjen e grupmoshave të popullatës për përdorimin e formave të pagesave elektronike. Sot, përdorimi është më i thjeshtë sapo ju prezantua që Banka Credins do krijojë një produkt që s’do keni nevojë për kartën apo portofolin, por nëpërmjet portofolit që të bëni pagesat me këto instrumente. Këto pagesa janë pa para për cash. Ju nxis t’i përdorni pagesat elektronike dhe produktet e tjera, por dhe të jeni të edukuar për to”, u shpreh Delina Ibrahimaj, ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.

Ndërkohë, një nga promotorët në fushën e edukimit financiar është edhe Banka e Shqipërisë, e cila vazhdimisht ka organizuar aktivitetet dhe programe informuese që zhvillojnë njohuritë financiare me qëllimin që çdo i ri të ndërtojë marrëdhënie të qëndrueshme me financat.

"Aktualisht kemi zbatuar disa projekte në shumë qytete. Përmes prezantimeve shpjegojmë koncepte ekonomike dhe financiare. Në të ardhmen ne kemi në plan që informacionin në faqen e internetit ta bëjmë më të aksesueshëm sidomos për të rinjtë duke bërë një portal të edukimit financiar ku të japim informacionet që për momentin i kemi në formën klasike të të mësuarit”, tha Besa Petrela nga Banka e Shqipërisë.

Investimi me njohuri thelbësore mbi menaxhimin e financave, sot është një domosdoshmëri për të rinjtë, duke i bërë ata të përvetësojnë aftësi të qëndrueshme financiare.

“Unë doja të theksoja se ne jemi fokusuar që edukimi financiarë të jetë një kurrikul që zbatohet në të gjithë sistemin e shkollave nga klasa e parë deri në gjimnaz. Është bërë një punë fantastike sesi janë futur në klasa dhe të jenë sa më shumë interaktive”, tha Jonida Baze, këshilltare pranë Ministrisë për Rininë dhe Fëmijët.

“Kam themeluar akademinë e edukimit financiar. Perceptoheshin si njerëzit e bankave dhe pikërisht akademia solli një modul që flet për edukimin e financave personale”, tha Jonida Katroshe, themeluese, Akademia Financiare.

Ky aktivitet i zhvilluar në Credins Bank i shtohet nismave të përgjegjësisë sociale të shumta të ndërmarra nga banka, për të investuar te brezat e rinj për të patur njohuri të zgjeruara në fushën e edukimit financiar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos