Alban Zusi, ekspert i sigurisë ushqimore, i ftuar në studion e “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, në A2CNN, tregoi produktet më problematike, sipas tij, në tregun shqiptar.
“Produktet me origjinë shtazore janë më të rrezikshmet. Mishi, djathi dhe qumështi janë produktet që shkaktojnë dëm brenda ditës. Te ne, edhe produktet shtazore jo të konsumueshme hidhen nëpër landfille. Ato janë burimi numër 1 i virozave. As në kohën e Partisë së Punës nuk bëhej kështu, nuk guxonte njeri t’i hidhte mbetjet e thertoreve apo restoranteve në mjedise të hapura”, tha eksperti.
Zusi shtoi se produktet shtazore janë problematike që në momentin e krijimit.
“Në rastin e mishit, duhet ditur nëse kafsha është ushqyer me produkte normale, me produkte hormonale apo antibiotikë. Për shembull, një kafshë që ka marrë antibiotikë deri para dy javësh, nuk mund të theret. Qumështi që del nga një lopë që ka marrë dje antibiotik, nuk mund të pihet për dy javë. Antibiotik marrin përditë lopët në Shqipëri. Ai qumësht ku shkon? A e kontrollon AKU? A ka një regjistër të fermerëve se çfarë bëhet me atë qumësht? Qumështi kur del, a shkon menjëherë në një tank ftohës? Transporti a bëhet me një automjet që nuk kalon 6 gradë Celcius? Nëse nuk respektohen procedurat, qumështi prodhon toksina që nuk i shkatërron dot zierja më pas. Këto toksina depozitohen në qelizat tona dhe krijojnë probleme”, shpjegoi Zusi.
(A2 Televizion)