Epidemia e gripit shton rastet, ISHP flet për humbjet e jetës dhe kujdesin nga mjekët klinicistë

Nga Ornela Joti
27 Janar 2025, 16:31 | Aktualitet

Instituti i Shëndetit Publik konfirmon se deri tani në vendin tonë nuk ka viktima nga gripi i stinës. Në lidhje me humbjet e jetës, javët e fundit në moshat pediatrike, autoritetet shëndetësore sqarojnë se ndaj tyre nuk është kryer diagnoza laboratorike për grip apo infeksione të tjera.

Por Eugena Tomini, drejtoreshë e ISHP thotë se mjekët  klinicistë, në këtë rast pediatrit, duhet të kryejnë edhe verifikimin laboratorik për të konfirmuar nëse pacienti është i prekur nga gripi apo infeksione të tjera.

Pak ditë më parë një 6-vjeçar nga Lushnja humbi jetën në spital pas një arresti kardiak që sipas mjekëve të spitalit  të Lushnjës ju shkaktua nga komplikacionet e një bronkopneumonie bilaterale. Familjarët e të miturit kanë refuzuar kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore.

Ndërkohë epidemia e gripit  në Shqipëri po prek kulmin e saj. Mbi 20 mijë raste  në javë raportohen me infeksione respitatore ku gripi i tipit A  dominon në popullatën e prekur.

Ekspertët thonë se jemi në një stinë të zakonshme të gripit, ku duhet të bëjmë kujdes edhe nga komplikacionet. Epidemia e gripit ka rënduar situatën edhe në spitale. Në këtë periudhë janë shtuar jo vetëm urgjencat por edhe shtrimet kryesisht në moshat pediatrike dhe tek pacientët me sëmundje kronike.

Ekspertët e shëndetësisë bëjnë thirrje për kryerjen e vaksinës së gripit, e cila ka në përbërjen e saj edhe variantet që janë në qarkullim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos