Drejtuesi i Prokurorisë së Përgjithshme Olsian Çela thotë se për hetimin e krimeve zgjedhore po bashkëpunohet ngushtë me SPAK.
Çela nuk mohon presionet ndaj prokurorëve por garanton se me afrimin e zgjedhjeve numri i tyre do të shtohet për t`ju përgjigjur çdo nevoje që mund të lindë.
“Ka një numër çështjes të cilat janë duke u kryer verifikimet në fazën e kallëzimeve, apo që janë regjistruar procedimet penale. Ka dhe një ndërveprim pozitiv mes prokurorisë së Posaçme dhe prokurorive të rretheve gjyqësore sa i përket shkëmbimit të informacionit dhe nisjes në kohë reale të hetimeve dhe materialeve për kompetencë, ku ka çështje që diskutohen në lidhje me ato që janë kompetencë lëndore e Prokurorisë së Posaçme apo prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm.
Ne për të shtrirë më tej këtë bashkëpunim kemi ofruar mbështetje dhe në infrastrukturë prokurorisë së Posaçme në mënyrë që prokurorët dhe hetuesit e Byrosë të kenë hapësira në godinat e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm në mënyrë që ushtrojnë aktivitetin përgjatë periudhës së zgjedhjeve, deri në përfundim të procesit zgjedhor.
Patjetër natyra e çështjeve që trajtohen nga prokurorët e juridiksionit të përgjithshëm e bën më pak probabël përballjen e tyre me presion të jashtëm, megjithatë puna jonë është e tillë që e bën të mundur përballjen me presionet. Është një punë nën presion. E rëndësishme është që ne të kemi mekanizmat e duhur që t’iu sigurojmë prokurorëve të punojmë në kushtet presionit dhe të jenë efektiv. Sot i gjithë kuadri ligjor i siguron një mbrojtje prokurorëve për të ushtruar detyrën e tyre edhe në kushtet e presionit. Patjetër që ka nevojë dhe për funksionimin e të gjithë mekanizmave për mbrojtjen e të gjithë prokurorëve, mekanizmave institucionalë.
Me afrimin e ditës së zgjedhjeve duke qenë se mund të ketë një rritje të problemeve, denoncimeve parashikohet që në listat e gatishmërive të shtohet numri i prokurorëve. Dhe 1 javë para ditës së zgjedhjeve ne hartojmë listat e gatishmërive ku ka një numër të konsiderueshëm më të lartë të prokurorëve të gatshëm për t’iu përgjigjur çdo lloj eventualiteti që lidhet me situatën e zgjedhjeve”. (A2 Televizion)