Në njësinë Administrative 14, një nga zonat që po zhvillohet me ritme të shpejta, janë duke u hedhur themelet për ndërtimin e një shkolle të re, e cila do të funksionojë së bashku me një kopsht dhe çerdhe të re. Ky investim i qeverisë shqiptare është një përgjigje për nevojat e komunitetit të Astirit.
Punimet për ndërtimin e shkollës po realizohen në një shesh ndërtimi, në rrugën “Muharrem Çaushi”. Projekti u inspektua ditën e sotme nga kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Ogerta Manastirliu, dhe Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani.
Gjatë inspektimit, Rama theksoi rëndësinë e hartimit të një plani të ri për ndarjen e hapësirave arsimore në Tiranë, që do të shoqërohet me shpronësime dhe partneritete për të siguruar terren për shkollat.
“Duhet të ecim me një plan të ri për caktimin e objekteve arsimore për Tiranën që të shoqërohet edhe me shpronësimet ose me partneritetet kur marrim lejen e ndërtimit që të lëshojnë territor për shkollën. Ndërsa për çerdhet duhet të vazhdojmë për të marrë hapësirë të brendshme në godina për çerdhet”, tha Rama.
Shkolla e re do të ndërtohet sipas standardeve të Bashkimit Europian dhe do të ketë kapacitet për 900 nxënës, me 30 klasa, 8 laboratorë, terrene sportive, palestër, bibliotekë dhe hapësira të gjelbëruara, duke u përshtatur për nevojat e nxënësve me aftësi të veçanta.
Ministrja Manastirliu theksoi se kjo shkollë është një investim i rëndësishëm për zonat në zhvillim dhe lagjet e reja të Tiranës. Ajo nënvizoi se do të ofrohet mundësia për 900 nxënës, përfshirë ciklin e arsimit 9-vjeçar, dy klasa parashkollore dhe një klasë për nxënësit me aftësi të veçanta. Kjo do të lejojë që fëmijët e vegjël të shkojnë në kopësht dhe të kalojnë drejtpërdrejt në ciklin parashkollor. Gjithashtu, ajo bëri me dije se për shkak të ndërtimit të shkollave të reja dhe rritjes së kapaciteteve, shumë shkolla me dy turne do të eliminohen, duke përfshirë edhe ato në zonat afër Astirit.
Pozita e shkollës mes Bulevardit të Kasharit dhe rrugës “Muharrem Çaushi” është zgjedhur strategjikisht për t'u shërbyer si një hapësirë edukative dhe komunitare, duke përmbushur nevojat e nxënësve dhe familjeve të zonës. (A2 Televizion)