Mbi 3900 ndërhyrje për shuarjen e flakëve janë regjistruar vetëm këtë vit në të gjithë vendin, duke shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të zjarreve, kryesisht në pyje dhe kullota. Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara thotë se në shumicën e rasteve flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta dhe terrenit të vështirë.
“Kemi rreth 3981 vatra dhe ndërhyrje për shpëtim gjithsej. Ku nga këto 3120 kanë qenë vatra zjarri në pyje dhe kullota. Pjesa më madhe e ndërhyrjeve kanë qenë në zonat me pishë, bredh, por edhe në zonat periferike të qyteteve dhe të fshatrave ku vetë banorët kanë qenë ata që kanë krijuar vatrat e zjarrit duke bërë pastrimet e pemëtarive dhe kullotave të tyre”, deklaroi drejtori i Shërbimit Zjarrfikës Arben Cara.
Në krahasim me një vit më parë, situata paraqitet dukshëm më problematike.
“Nëse marrim vitin e kaluar me këtë vit, vetëm për dy muaj ne kemi mbi 1200 vatra zjarri në pyje e kullota gjë e cila ka bërë të ketë një trend në rritje. Të paktën jemi rritur me 12%. Pra nëse në një javë ne kishim 6 apo 7 vatra zjarri vitin e kaluar, këtë vit ne kemi patur 13 vatra zjarri pothuajse në çdo javë” shprehet drejtori i Shërbimit Zjarrfikës Arben Cara.
Cara thotë se pavarësisht përpjekjeve të shërbimeve zjarrfikëse, infrastruktura mbetet një ndër sfidat kryesore. Automjetet zjarrfikëse nuk arrijnë dot në shumë prej vatrave për shkak të terreneve të paarritshme, gjë që e bën ndërhyrjen më të vështirë dhe të zgjatur.
“Infrastruktura është ajo që t’i të hasësh vështirësi në çdo rast kur automjetet zjarrfikëse nuk aksesojnë deri pranë vatrës së zjarrit dhe vështirësia për ta menaxhuar një vatër zjarri është më e madhe dhe kërkohet përveç forcave tokësore për ta menaxhuar kërkohet dhe ndihmë nga ajri”, thotë Arben Cara, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës.
Zonat më problematike, ku ndërhyrjet kanë qenë më të vështira dhe flakët më të rrezikshme, përfshijnë: Delvinën, Shpiragun, Poliçanin, Fushë-Arrëzin dhe Gramshin.
Sakaq, policia deklaroi më herët se nga qershori e deri më tani, autoritetet kanë identifikuar 137 persona të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme apo nga pakujdesia. 46 prej tyre janë arrestuar, ndërsa 91 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Zjarret vazhdojnë të jenë një kërcënim serioz për mjedisin, pronat dhe jetën e qytetarëve, ndërsa autoritetet bëjnë apel për më shumë ndërgjegjësim dhe bashkëpunim nga komunitetet lokale, si dhe nga vetë banorët që të mos shkaktojnë vatra zjarri. (A2 Televizion)