Kongresi i Parë Ndërkombëtar i Shkencave të Shëndetit mbahet në Tiranë në këto data

Nga Armend Pire
20 Prill 2025, 18:22 | Aktualitet

Një ngjarje e rëndësishme në fushën e mjekësisë do të zhvillohet në Tiranë gjatë datave 2, 3 dhe 4 maj 2025. Për herë të parë në Shqipëri, Universiteti i Mjekësisë do të organizojë Kongresin e Parë Ndërkombëtar të Shkencave të Shëndetit, një aktivitet madhor që synon të krijojë një platformë bashkëpunimi për komunitetin akademik dhe shkencor brenda dhe jashtë vendit.

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, prof. Xheladin Draçini, në një prononcim ekskluziv për emisionin “Diagnozë” në A2 CNN, theksoi rëndësinë e këtij kongresi si dhe përfitimet që do të sjellë për profesionistët e shëndetësisë dhe institucionet përkatëse.

“Ideja për organizimin e këtij kongresi lindi si një përgjigje ndaj nevojës për të ndërtuar një platformë solide ku komuniteti shkencor dhe akademik, vendor dhe ndërkombëtar, të ketë mundësinë të prezantojë rezultatet e kërkimeve, të shkëmbejë ide dhe të diskutojë mbi zhvillimet më të fundit në fushën e Shkencave të Shëndetit,” u shpreh Prof. Draçini.

Ai shtoi se qëllimi kryesor i kongresit është të forcojë lidhjen mes kërkimit shkencor dhe praktikës klinike, të nxisë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe të promovojë një kulturë akademike aktive që adreson sfidat aktuale të sistemit shëndetësor.

Në këtë kongres që do të mbahet në ambientet e Piramidës në Tiranë, do të prezantohen disa tema të rendësishme mjekësore e shkencore.

"Ndër temat kryesore janë: kërkimi në shëndetin publik, inovacioni në diagnostike dhe terapi,  teknologjitë e reja në mjekësi, menaxhimi i sëmundjeve kronike. Në këtë Kongres ka pasur një numër të lartë të abstrakte e të prezantimit, rreth 600. Çka tregon një interes të lartë" - tha rektori i UMT.

Kongres pritet të shërbejë si një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të kërkimit mjekësor shqiptar, duke vendosur një precedent të ri në zhvillimin e shkencave të shëndetit në Shqipëri. Janë të paktën 34 profesorë të huaj të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos