Ndarja nga jeta e Papa Françeskut, Rama mban 1 minutë heshtje gjatë takimit në Kavajë

Nga A2 CNN
21 Prill 2025, 10:50 | Aktualitet

Ndarja nga jeta e Papa Françeskut, Rama mban 1 minutë heshtje

Lajmin për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, kryeministri Edi Rama e mori teksa ishte duke zhvilluar një takim elektoral në qytetin e Kavajës.

Shefi i qeverisë kërkoi nga salla që të mbahet një minutë heshtje në nder të kujtimit të Atit të Shenjtë, e pas kësaj riktheu fjalët që Françesku tha gjatë vizitës së tij në Tiranë, më 21 shtator 2014.

“Ka vëllazëri fetare”, ishin fjalët e Atit të Shenjtë që Rama i citoi duke shtuar se ka bërë një bisedë me Papën që i ka lënë mbresa.

“Më vjen keq që ka ndërruar jetë Papa Francesku. Kam pasur raport personal me të. Më çonte SMS vazhdimisht. Më vjen shumë keq. Ai zgjodhi të vizitojë Shqipërinë, të parin vend jashtë Vatikanit që vizitoi, pasi u zgjodh Papë. Në Shqipëri kaloi një ditë të paharrueshme. Ai u shpreh se Shqipëria ka vëllazëri fetare. Ishte Papë ndryshe nga tjerët. Kam mirëkuptimin tuaj ta nderojmë me një minutë heshtje. I thashë: ‘Papë i shenjtë ke bërë shumë armiq, duke thënë gjëra që nuk ka thënë kurrë një Papë’. Më tha: 'Kryeministër, nëse nuk i them ato gjëra që kam për të thënë, tani që kam kohën me njerëzit, kujt do ua them, krimbave në varr?’”, tha Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos