“Gjobë e 1 vit burg”, eksperti rrugor flet për ashpërsimin e Kodit Penal

Nga A2 CNN
29 Janar 2026, 10:40 | Aktualitet

Ndryshimet e fundit në Kodin Rrugor, që e kthejnë parkimin dysh nga kundërvajtje administrative në kundërvajtje penale, kanë ngjallur debat të gjerë publik. Eksperti i sigurisë rrugore, Islam Qibini, në një intervistë për emisionin “Dita Jonë”, sqaroi se jo çdo parkim i gabuar do të ndëshkohet me burg.

“Jo çdo lloj parkimi do të trajtohet si kundërvajtje penale. Kjo masë vlen vetëm për rastet kur parkimi bllokon seriozisht qarkullimin dhe pengon lëvizjen e mjeteve të emergjencës, si ambulancat, zjarrfikëset dhe policia,” – theksoi Qibini.

Sipas tij, parkimet e përkohshme për hipje-zbritje pasagjerësh, ngarkim apo shkarkim bagazhesh, të shoqëruara me praninë e drejtuesit të mjetit, do të vijojnë të trajtohen si kundërvajtje administrative me gjobë nga 1.000 deri në 3.000 lekë.

Eksperti nënvizoi se masa e re synon rritjen e sigurisë rrugore dhe disiplinimin e drejtuesve të papërgjegjshëm. “Ky ndryshim pritet të ketë impakt pozitiv, por gjithçka varet nga mënyra se si do të zbatohet ligji,” – tha ai.

Qibini shtoi se në vendet e BE-së, parkimi i gabuar ndëshkohet kryesisht me gjoba, por Shqipëria ka zgjedhur një qasje më të ashpër për të frenuar shkeljet e rrezikshme dhe për të garantuar qarkullim të lirë, sidomos në raste emergjence. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos