Dy ditë pas daljes së vendimit për zhvendosjen e Agjencisë Rajonale të Kadastrës së Vlorës drejt Tiranës, ende vijojnë të shkojnë qytetarë që kanë probleme me pronat e tyre të patundshme dhe ende vijojnë të mos marrin shërbimin e kërkuar. Në fakt, në këto dy ditë Kadastra e Vlorës ka pezulluar ofrimin e shërbimit ndaj qytetarëve, pasi edhe vetë punonjësit janë shprehur kundër transferimit të dosjeve drejt Tiranës.
Për qytetarët kjo do të thotë më shumë kosto dhe kohë e harxhuar. Madje një prej tyre shprehet se mjaftonte të zëvendësoheshin punonjësit dhe nuk kishte nevojë që Kadastra e Vlorës të zhvendosej në Tiranë.
“Të vesh në Tiranë, të dalësh punë, dreqi e merr me birin shpenzimet e të gjithave. Këtu në Vlorë mjafton të hiqen një pjesë e madhe e këtyre nga puna, se merren me të gjitha poshtërsitë. Mendo çfarë do të thotë vetëm problemi im, mos të zë në gojë të tjerë. Kam 37 vjet që kam ndërtuar një shtëpi, banoj në atë shtëpi dhe këta shtëpinë time ia kanë dhënë tjetrit me letra të falsifikuara. Po pse, çfarë xhiro do bëjmë ne? Kam marrë me makinë, kam marrë me mjete. Jemi shumë në hall, ta themi sinqerisht. Tani më tepër nuk flasim dot, s’kemi çfarë të themi. Morët shërbim? Jo. Do rikthehesh nesër sërish. Nuk besoj, nuk besoj.”
Ndërkohë, Agjencia e Përgjithshme e Kadastrave në vend, me anë të një reagimi, është shprehur se transferimi i kadastrave nga rrethet drejt Tiranës, përfshirë së fundmi edhe atë të Vlorës, bëhet në kuadër të unifikimit të procedurave, rritjes së efikasitetit, transparencës së burimeve njerëzore, si dhe uljes së kohës së përpunimit të materialeve, duke ofruar qytetarëve shërbimin online nëpërmjet e-Albania-s dhe Postës Shqiptare. (A2 Televizion)