“Djegia e Kuranit në Gjakovë, akt nga serbët”, revolta e ish-myftiut të Tiranës

Nga A2 CNN
29 Janar 2026, 09:10 | Aktualitet

Ngjarja e rëndë e ndodhur në Gjakovë, ku faqe të Kuranit janë djegur, copëzuar dhe varur në një pemë, ka tronditur opinionin publik dhe ka shkaktuar indinjatë të thellë te besimtarët myslimanë, por edhe më gjerë. I ftuar në “Dita jonë” në A2 CNN, ish-myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, e cilësoi këtë akt si një provokim të rrezikshëm dhe të qëllimshëm, që synon të cenojë harmoninë fetare të shqiptarëve.

Sipas Gurrës, ky akt është kryer nga serbët, të cilët historikisht kanë synuar të godasin identitetin fetar dhe kombëtar të shqiptarëve, sidomos në Kosovë.

“Nuk përjashtohet aspak kjo mundësi. Prandaj e përmend se jo më larg se dy vite më parë ka pasur tentativa të tjera edhe më të ashpra, të cilat më pas u konfirmuan se ishin investuar drejtpërdrejt nga qarqe serbe, qofshin këto politike apo akademike. Ia kujtoj gjithë shikuesve se bëhej fjalë për thirrje publike të personave të caktuar, madje edhe për tentativa kamuflimi, duke u paraqitur si myslimanë, të paktën në emër. Vetëm pak muaj më vonë u konfirmua se këto veprime ishin të investuara drejtpërdrejt nga qarqe serbe, si akademike ashtu edhe politike”, tha Gurra.

“Ne shpesh i analizojmë provokimet vetëm në suazën e kohës sonë. Por në fakt, ajo që është e frikshme dhe e tmerrshme është se kosovarët e kanë paguar shumë shtrenjtë nëpërkëmbjen e besimit dhe investimin e qarqeve serbe, edhe në planin fetar. Ata janë etiketuar si myslimanë apo “turq”, siç janë quajtur dikur, ndërsa racizmi dhe ortodoksia janë përdorur për të justifikuar pretendime mbi Kosovën. Problematika kryesore mbetet fakti se këto qarqe investohen vazhdimisht, në mënyrë të organizuar, përmes individëve dhe strukturave të caktuara. Autorët ende janë të paidentifikuar dhe nuk janë vënë përpara drejtësisë, por rasti i Gjakovës tregon qartë se bëhet fjalë për një strategji afatgjatë dhe jo për një akt të izoluar”.

Ish-myftiu nënvizoi se, përveç ndëshkimit ligjor, ekziston edhe një ndëshkim hyjnor për ata që nëpërkëmbin librat e shenjtë. Ai kujtoi se Kurani, sipas besimit islam, është i mbrojtur nga vetë Zoti dhe se këto veprime dëmtojnë para së gjithash autorët e tyre. Megjithatë, Gurra bëri thirrje për qetësi, maturi dhe besim tek institucionet, duke theksuar se provokime të tilla nuk duhet të arrijnë të dëmtojnë mozaikun fetar dhe vlerat themelore të shoqërisë shqiptare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos