“Gratë janë ndërgjegjësuar”, në 2024 u trajtuan më shumë raste të dhunës në familje

Nga Xhensila Kodra
29 Nëntor 2024, 15:01 | Aktualitet

Rritet numri i rasteve të dhunës në familje të trajtuara nga policia në të gjithë vendin. Të dhënat zyrtare nga Policia e Shtetit tregojnë se në 9 muajt e parë të këtij viti janë denoncuar dhe trajtuar nga uniformat blu 4,145 raste të dhunës apo të krimeve të tjera të ndodhura brenda familjes.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, nga janari deri në shtator të këtij viti janë evidentuar 316 raste më shumë. Për psikologen Entela Binjaku, kemi një ndërgjegjësim të femrave shqiptare, të cilat denoncojnë dhunën në polici.

Sipas saj, shkaqet e dhunës janë disa, që nga papunësia, varfëria, e deri te përdorimi i alkoolit.

Gjatë këtij viti është rritur ndjeshëm edhe numri i lëshimit të Urdhrit të Mbrojtjes. Janë trajtuar në këtë kategori 2,226 raste të dhunës në familje, 171 raste më shumë se vitin e kaluar. Sipas të dhënave, janë arrestuar 138 persona të cilët, pasi kanë shkelur Urdhrin e Mbrojtjes, kanë ushtruar sërish dhunë. Për këtë kategori, psikologia thotë se duhet të kemi një ashpërsim të dënimit.

Gjatë 2024-ës janë referuar në prokurori 1,606 persona që kanë ushtruar dhunë në familje, nga të cilët 645 autorë janë arrestuar dhe 71 të tjerë janë ndaluar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos