Krah Pablo Picasso, por edhe piktorëve të tjerë të mëdhenj, në ekspozitën "In motion - Art & Football" në Muzeun e Futbollit Gjerman, në Dortmund, qëndron edhe një shqiptar, “Kur nuk shkoj në stadium” nga shqiptari Guri Madhi. Një ekspozitë e tillë, për të birin e autorit, Pandi Madhi është një emocion i veçantë. Teksa sheh në mur këtë pikturë, që për kohën ishte shumë moderne, Pandi tregon se i vjen ndërmend e gjithë jeta e babait të tij, e cila, siç rrëfen ai, nuk ka qenë aspak e lehtë.
“Ishte shumë emocionuese, m'u kujtua e gjithë jeta e babait tim, me peripecitë e tij”, tregon Pandi Madhi.
I ftuar në A2 CNN, në Ditarin e Paradites me Denisa Pashollin, Pandi Madhi ka treguar se si qëndron historia pas kësaj pikture, ku personazhet kryesore të saj, nuk janë trillime të imagjinatës. Mes atyre tifozëve, është edhe vetë ai, Pandi Madhi, djali i autorit dhe disa familjarë të tjerë.
“Guri Madhi nuk ishte tifoz, ne ishim tifoz dhe mblidheshim në shtëpi dhe ndiqnim ndeshjet e futbollit dhe një ditë, ai më tregoi që dua të bëjë një pikturë, ka qenë në 1985 ky bashkëbisedim me babanë, janë familjarë, personazhe reale. Është pjesë e koleksionit të familjes. Në 1997, Guri Madhi kishte dëshirë të hapte një ekspozitë personale, ku kishte ndryshuar stilin e të pikturuarit dhe kjo ekspozitë u hap në 1987, kaloi shumë frika, pati shumë problem, sepse nuk përfaqësonte vepra të realizmit socialist, më pas u miratua por me një kusht që disa piktura të mos ekspozoheshin, dhe këtë fat pati edhe kjo pikturë "Kur nuk shkojnë në stadium", tregon Pandi në A2 CNN.
Ekspozimi i saj në Turqi në 2020 ishte dhe momenti kur kuratorë të kësaj ekspozite u njohën me këtë vepër.
“Kishin bërë një kërkim, dhe burimi kryesor kishte qenë nga ekspozimi i kësaj vepre në 2020 në Stamboll”, tregon Madhi në studion e A2 CNN.
Kjo pikturë do të jetë e ekspozuar në ekspozitën "In motion - Art & Football" në Muzeun e Futbollit Gjerman, në Dortmund deri në janar të 2025. Në ceremoninë e hapjes, ishte i ftuar djali, Pandi Madhi, për shkak se piktori ka ndërruar jetë në qershor 1988. (A2 Televizion)