Rama: Ka ardhur koha të ndërtojmë një NATO për arsimin

Nga A2 CNN
29 Maj 2024, 10:13 | Aktualitet

“Ka ardhur koha të ndërtojmë një NATO për arsimin.” Kjo është deklarata e bërë nga kryeministri Edi Rama në Konferencën Ministeriale e Zonës Europiane të Arsimit të Lartë, me pjesëmarrjen e të gjithë vendeve.

Kreu i qeverisë theksoi se e ardhmja nuk mund të mbrohet nga armët, por nga dija, prandaj të gjitha shtetet duhet të investojnë në arsim.

“Jam i sigurt që ju nuk keni nevojë për leksione të tjera, por dua të them pak fjalë dhe do përpiqem të jem mikpritës i mirë. Për ne, ky është një moment përulës që të jemi vendi i parë që t’ju mikëpresim. Falënderoj delegacionin nga Ukraina që kanë ardhur dhe gjithashtu dua të falënderoj presidentin e Këshillit të Lartë të Turqisë dhe ministrin e Arsimit të Hungarisë. I veçova sepse u jemi mirënjohës për gjithçka po bëjnë këto vende për të ndërtuar rrugëtimin tonë të arsimit. Turqia dhe Hungaria kanë qenë vende që kanë ardhur më shpejt se BE-ja. Vendi ynë, vendet e BE-së, mund të jenë pjesë e këtij potenciali dhe të gjithë mundësive që ofron zona europiane. Mund të them që e ardhmja nuk mund të mbrohet nga armët, por nga dija. Ka ardhur koha të ndërtojmë një NATO, të arsimit”, tha Rama.

Rama tha se vendet duhet të lënë pas të shkuarën, pasi sjell vetëm ndasi.

“Ne duhet të vendosim njëherë e mirë se si do ta trajtojmë të shkuarën dhe të ardhmen. Ajo që është shqetësuese është se e ardhmja jonë po përkufizohet nga e shkuara. Dhe e shkuara po përdoret si pikë reference, si burim frymëzimi, si një shtysë për të imagjinuar të ardhmen. Duhet të jetë e kundërta. E kundërta do të shpëtojë botën tonë demokratike”, përfundoi kryeministri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos