Molotov mes turmës, reagon AMA: U vu në rrezik jeta e punonjësve të medias, goditje për fjalën e lirë

Nga A2 CNN
28 Maj 2024, 18:36 | Aktualitet

Molotov mes turmës, reagon AMA: U vu në rrezik jeta e punonjësve

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka reaguar për incidentin e shënuar në protestën e sotme para bashkisë së Tiranës, ku u vu në rrezik jeta e punonjësve të medias, policisë dhe qytetarëve.

Sipas AMA-s “pasiguria në punën e medias që mbulon një protestë a demonstratë është e papranueshme, është goditje për fjalën e lirë dhe kufizim për informimin e publikut”.

AMA i bën thirrje organizatorëve që të marrin masa për të mbrojtur aktivitetin e reporterëve në terren dhe për të lënë të hapur komunikimin e tyre me publikun në mbulimin e dinamikës së ngjarjeve.

Gjithashtu u kërkon autoriteteve, “që të identifikojnë sa më parë dhe të ndjekin ligjërisht çdo akt që sulmon drejtpërdrejt apo rrezikon ekipet e medias që janë në kryerje të detyrës”

Një bombë Molotov e hedhur nga një militant përfundoi në afërsi të kordonit të policisë, ku ndodheshin qytetarë, operatorë dhe gazetarë dhe jo drejt godinës së bashkisë.

Këto ishin momente paniku e tmerri pasi rrezikoi seriozisht jetën e atyre që ndodheshin aty për të ndjekur protestën lejen e të cilës në polici e merr "Aleanca për Mbrojtjen e qytetarëve".

Reagim i Autoritetit të Mediave Audiovizive

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, përcolli me shqetësim sot paradite (28.05.2024), incidentin para godinës së Bashkisë së Tiranës, ku siguria e grupit të reporterëve dhe kameramanëve të medias u vu në rrezik si pasojë e përdorimit të lëndëve shpërthyese (molotov).

Pasiguria në punën e medias që mbulon një protestë a demonstratë është e papranueshme, është goditje për fjalën e lirë dhe kufizim për informimin e publikut.

Autoritetet ligjzbatuese të rendit, por dhe organizatorët e protestave, duhet të marrin masa konkrete për të mbrojtur aktivitetin e reporterëve në terren, për të lënë të hapur komunikimin e tyre me publikun në mbulimin e dinamikës së ngjarjeve.

Ju kërkojmë autoriteteve, që të identifikojnë sa më parë dhe të ndjekin ligjërisht çdo akt që sulmon drejtpërdrejt apo rrezikon ekipet e medias që janë në kryerje të detyrës.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos