Begaj në Amerikë, presidenti i ftuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

Nga A2 CNN
25 Maj 2025, 20:18 | Aktualitet

Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, iu rezervua një pritje e përzemërt nga komuniteti shqiptar në Philadelphia, të cilën e vizitoi ndërsa ndodhet në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në Forumin për Partneritet dhe Paqe dhe në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në Dayton.

Një pritje i është rezervuar presidentit nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Bijtë e Shqipes”. Presidenti i Republikës i përgëzoi ata për mësimin e gjuhës shqipe në shkollën e hapur nga kjo shoqatë: Gjatë takimit, Presidenti Begaj risolli në vëmendje rrugëtimin e Diasporës, duke veçuar aktivizimin e atdhetarëve që i dhanë jetë çështjes shqiptare përmes institucioneve politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore të Amerikës që nga fundi i shekullit XIX.

Gjithashtu, Presidenti i Republikës vlerësoi edhe iniciativat e shqiptarëve për ngritjen e shoqatave dhe rrjeteve të bashkëpunimit mes njëri-tjetrit, me synim integrimin e shqiptarëve në shoqërinë amerikane, duke ruajtur njëkohësisht identitetin kombëtar.

Një falënderim të posaçëm Presidenti Begaj përcolli dhe për autoritetet lokale amerikane në Philadelphia, të cilat kanë mbështetur projektet e Diasporës, përfshirë dhe emërtimin e “Willits Road” me emrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Presidenti i Republikës vizitoi qendrën “Shtëpia e shqiptarit”, të ngritur nga shoqata “Bijtë e Shqipes”, ku edhe takoi konsullin e nderit te sapo zgjedhur ne kete detyre mjekun e njohur Gentian Toshkezi.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos