Deklarata e fortë e Dumanit: Në çdo dosje, të përfshirë edhe punonjës policie

Nga A2 CNN
28 Dhjetor 2023, 13:40 | Aktualitet

Deklarata e fortë e Dumanit: Në çdo dosje, të

Kreu i SPAK Dumani ka bërë një deklaratë të fortë, nga theksoi se ka rezultuar se efektivë të policisë së shtetit janë pjesë e komunikimeve me grupet kriminale.

Në lidhje me hetimet e SPAK, të mbështetura mbi të dhënat e siguruara nga SKY dhe Encro, Dumani tha se pothuajse në çdo material, ka emra punonjësve të policisë të përfshirë. Sipas tij, në çdo dosje del nga një ose më shumë punonjës policie.

“Mbajtja e këtyre aplikacioneve nuk përbën vepër penale, jo çdo bisedë që kryhej aty përben shkelje, por nëse ka komunikime që i kompromentojnë atëherë është çështje tjetër që verifikohen e merren masa. Por në çdo hetim na dalin një ose më shumë polic, gjithashtu nuk kanë munguar edhe në radhët e prokurorëve, ju marr shembull rast që tashmë është publik Xhevahir Lita”, u shpreh Dumani.

Në takimin informal që pati me gazetarët, kreu i SPAK, Altin Dumani ka listuar arsyet se përse nuk i janë drejtuar Kuvendit, por kanë caktuar menjëherë masën detyrim paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë shtetit ndaj Sali Berishës. Ai tha se për këtë masë sigurie, nuk ka qenë e nevojshme dhe për këtë qëndrim ka sjellë argumentet e tij.

"Ne nuk mund t’i japim Kuvendit kompetenca kushtetuese kur nuk i ka. E kemi diskutuar këtë çështje. Është diskutuar edhe me drejtuesin e prokurorisë. Kërkesa është lënë në fuqi nga të dyja shkallët, edhe ajo e parë edhe nga Apeli”, tha Dumani.

Kreu i SPAK foli edhe për hetimet mbi inceneratorin e Tiranës. “Është në fazë hetimesh paraprake që vazhdojnë në drejtim të çdo faktori  që mund të kenë kryer veprime penale, apo persona të tjerë që kanë patur në duar vendimmarrje. Hetimet po bëhen në kuadër të të njëjtit procedim, jo me fraksion.”, u shpreh Dumani.

I pyetur nëse po verifikohen dokumentet e bëra publike të firmosura nga Veliaj, Dumani tha se, do sqarohet pozita e secilit dhe se çdo veprim po verifikohet. Ndërkohë, ai është pyetur edhe në lidhje me sekuestrimin e dy telefonave për llogari të hetimit të SPAK mbi kallëzimet kundër Monika Kryemadhit. “Kontrollet tona janë instrument  apo mekanizëm si mjet për të gjetur prova. Sa i takon Metës, është çështje ndaj të cilës po kryhen ende hetime dhe nuk kam një koment”, u shpreh kreu i SPAK. 

Dumani, u pyet në lidhje me fazën në të cilën ndodhet hetimi për çështjen McGonial. “Ne nuk mund të japim asnjë informacion. Kemi pasur një kallëzues, z. Gazment Bardhi, të cilin e kemi informuar për gjithçka që ka kërkuar, pasi e kemi detyrim ligjor informimin e kallëzuesit. Por i kemi kërkuar të nënshkruajë mbi ruajtjen e sekretit hetimor dhe të mos bëjë publik informacionin e marrë”, u shpreh Dumani.

Në lidhje me hetimet e këtij viti, Altin Dumani tha: “Në 2023 kemi dyfishuar numrin e hetimeve proaktive. Vetëm për këtë vit ka 68 çështje të nisura kryesisht, duke mbajtur rekordin e 3 vjetëve SPAK. Çështjet të ndara, krim dhe korrupsion. Indiciet janë marrë nga mediat, deklaratat e politikanëve dhe burime të agjentëve të BKH.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos