Tre orë me duart në pranga ka pritur në hollin e Kuvendit, biznesmeni Ilir Rrapaj, para se të hynte në sallën “Pjetër Arbonri”, ku po zhvillon punimet komisioni hetimor për Shëndetësinë.
Pronari i kompanisë ‘SaniService’, e cila në vitin 2015 fitoi koncesionin 10 vjeçar me vlerë 100 milionë euro për sterilizimin e pajisjeve mjekësore, u arrestua nga SPAK në gusht të viti 2023, së bashku me ish-zv/ministrin e Shëndetësisë, Ilir Rrjepaj.
Teksa po merret në pyetje në komision, Rrapaj shoqërohet nga avokati Ardian Leka, i cili fillimisht kërkoi përjashtim të klientit të tij nga betimi betimi për të thënë të vërtetën pasi është në statusin e të pandehurit në Prokurorinë e Posaçme.
“Jemi të pandehur në SPAK. Ka nisur gjykimi atje. Dëshmia duhet të bëjë përjashtim, se një i pandehur nuk ka detyrim të thotë të vërtetën. Ato që do të thotë këtu lidhen me proces penal. Dua sqarim për përhapjen e informacioneve që ka dosja. Kemi detyrim nga SPAK të mos e bëjmë”, u shpreh avokati i biznesmenit.
Por kryetarja e komisionit, Albana Vokshi tha se nuk është hera e parë që dëshmitarë në të tilla kushte paraqiten në komisione hetimore, pasi kjo ka ndodhur edhe në komisionin për TIMS, ndërsa shtoi se në komisionin e “Sterilizimit” është pyetur ish-zv/ministri Klodjan Rrjepajn.
“Kemi marrë leje nga organi i akuzës”, tha Vokshi.
Pas nisjes së dëshmisë, Vokshi e pyeti Rrapajn nëse e njihte ish zv/ministrin e Shëndetësisë Klodian Rjepaj.
"Deri në gusht 2023 kisha dijeni se kush ishte dhe çfarë ishte. Në momentin e arrestimit. Tani kam 15 muaj që ndaj të njëjtën rezidencë. E tani mund të them që edhe e njoh. Nuk kam pasur asnjë lloj miqësie e asnjë lloj njohe”, u përgjigj biznesmeni.
SEANCA NË KOMISION:
Vokshi: Është e rëndësishme të kuptojmë me çfarë jeni marrë deri në momentin që vendosët të hynit në procedurën e koncesionit të sterilizimit. Sa punonjës keni pasur?
Rrapaj: Ka pasur oshilacione. Ka filluar me një numër 1 apo 2 dhe ka kaluar deri në 30 persona të punësuar nga kompania. Ashtu sikurse të gjithë ata që punojnë, e bëjnë të mundur të kenë dhe suportin e të nënkontratuarve të tjerë. Në historinë e viteve ka pasur një numër të madh bashkëpunëtorësh të jashtëm.
Vokshi: Sa ka qenë xhiroja vjetore dhe fitimi?
Rrapaj: Ka qenë e ndryshme në varësi të merkatos. Ka qenë variabël. Ka pasur vite me 100 mijë euro dhe ka pasur vite dhe me 1-2 mln euro, në varësi të kontratave.
Vokshi: A keni pasur eksperiencë në fushën e shëndetësisë dhe cila ka qenë ajo, para se të fillonte Sterilizimi?
Rrapaj: Padyshim që ka pasur eksperiencë formative të jashtëzakonshme. Kam një nostalgji dhe respekt të madh për kohën dhe moshën që kam patur kur kam bërë këtë udhëtim në fushën e shëndetësisë. Respekt absolut për shkollën “Jani Minga” në Vlorë dhe Fakultetin e Mjekësisë të asaj kohe. Ekziston një kompani në rajonin e Umbrias në Itali, që quhet Hygeniu System. Kjo kompani më ka përzgjedhur si përfaqësues në vitin 2009, për promovimin e teknologjisë dhe modelit të sistemit.
Vokshi: Keni qenë i punësuar në këtë kompani?
Rrapaj: Kam qenë i kontraktuar dhe me premisën që sapo të kishim mundësi për të dalë përtej kufijve të Italisë, qoftë në spitalet publike apo private për ta përcjellë në formën e furnizimit apo shërbimit, të bëhej e mundur si distributor ekskluziv. (A2 Televizion)