“I DENJË!” Fronëzohet Kryepeshkopi Joan Pelushi

Nga A2 CNN
29 Mars 2025, 12:43 | Aktualitet

“I DENJË!” Me këtë thirrje të besimtarëve ortodokse nga kisha “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, kryepeshkopi i ri Joan Pelushi ka marrë detyrën dhe kompetencat e plota në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Ceremonia e Fronëzimit të Kryepeshkopit të ri Joan Pelushi është zhvilluar në një shërbesë të veçantë ku merrnin pjesë besimtarë ortodoksë, të ftuar nga 13 kishat ortodokse të botës, përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, ish-presidentë, drejtues të kuvendit, të qeverisë dhe opozitës.

Në Fronëzimin e Kryepeshkopit Joan Pelushi ishte i pranishëm edhe ministri grek i mbrojtjes Nikos Dendias, i cili e ka ndjekur gjatë gjithë kohës në këmbë ceremoninë sipas ritit kishtar.

Në emër të Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, kleri ortodoks shprehu vlerësimet dhe urimet për kryebariun e ri Joan Pelushi, pasardhës i Anastas Janullatus.

“I Denjë! Presidenti i Republikës Bajram Begaj, Fronëzimin e Fortlumturisë Joan Pelushi,  e ka cilësuar ditën më të rëndësishme për Autoqefalinë e Kishës Ortodokse shqiptare.

Primati i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Fortlumturia e tij Joan Pelushi në lutjen dhe falenderimet e tij shprehu angazhimin për detyrën e re. Kryepeshkopi i ri shprehu mirënjohjen për paraardhësin e tij kryepeshkopin Anastas për gjithçka bëri, sipas tij, për ringritjen e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Fortlumturia e tij Joan Pelushi është ulur në fronin më të lartë të kishës ortodokse, detyrë që do ta mbajë për sa të ketë jetë. Kryepeshkopi Pelushi vjen në këtë detyrë pas ndarjes nga jeta të kryepeshkopit Anastas dhe me unanimitetin e plotë të sinodit të shenjtë të kishës ortodokse autoqefale shqiptare.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos