Skandali i mishit të pulës me salmonelë, AKU thotë se bllokoi disa tonë, por jo nëse u shpërnda në treg

Nga A2 CNN
28 Mars 2025, 18:46 | Aktualitet

Më shumë se 18 tonë mish pule të importuara nga Brazili, të infektuara me bakterin e “salmonelës” janë futur në Shqipëri. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se ngarkesa është identifikuar në Portin e Durrësit. 

“Pas analizës së realizuar në ISUV më 21.03.2025, ku u identifikua prania e Salmonella Typhimurium në një mostër produkti pule (fileto e ngrirë), e importuar nga Brazili, AKU ka ndërhyrë në mënyrë të koordinuar me strukturat përgjegjëse për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit, si dhe për marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj subjektit përgjegjës.”

Por Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk bën transparencë për publikun dhe konsumatorët nëse ky produkt me salmonelë është hedhur në treg për konsum. E paqartë mbetet edhe data kur ngarkesa ka hyrë në Portin e Durrësit.

“Është inspektuar subjekti importues për të siguruar gjurmueshmërinë, i cili është referuar në organet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme proceduriale lidhur me elementët e veprës penale për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë.”

Salmonela është një bakter që kontaminon kryesisht mishin, qumështin dhe vezët dhe më pas, personi i infektuar mund të ketë dhimbje koke, ethe, dhimbje barku dhe temperaturë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos