“I kemi vënë në dispozicion trupin tonë drejtësisë”, Rama: Nuk kemi strategji elektorale për të minuar hetimet

Nga A2 CNN
26 Shkurt 2025, 10:13 | Aktualitet

Nuk kemi asnjë strategji elektorale për të minuar hetimet. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar socialist pas dëgjesës me rektorin e Universitetit Bujqësor të Kamzës Fatbardh Sallaku. Në përgjigje të analistit Adrim Krasniqi, i cili e akuzon për shkelje kushtetuese dhe ligjore këtë takim, e konsideron akt minues dhe si një strategji elektorale, Rama theksoi sërish se vetëm kjo parti dhe qeveri lejoi hetimin VIP në Shqipëri duke hequr duart nga kontrolli i drejtësisë.

“Kërkojnë papushim vetëm represion dhe asgjë tjetër, ndërkohë që ajo që unë kërkoj e luftoj është një drejtësi e pavarur dhe europiane. Nuk e di se ku e gjen zoti Afrim dhe cilido tjetër, të flasin për strategji elektorale për të minuar veprimet VIP të drejtësisë. Këtu fillon problemi i madh që ne kemi, me pasqyrat e sotme të informacionit dhe portalet ku rëndom opinionet shiten si fakte. Nuk kemi asnjë strategji elektorale për të minuar asnjë hetim dhe as rektori nuk u ftua për të ngritur flamurin e pafajësisë për 24 persona që kanë marrë në masa sigurie pa gjyq dhe as ne nuk kemi marrë në asnjë rast që të themi cili është i famshëm dhe cili jo. As zoti Afrim e askush tjetër nuk konkurron dot në këtë formë me këtë parti e mazhorancë qeverisëse përsa i përket luftës për një drejtësi të drejtë e europiane në këtë vend. Po të mos ishte kjo shumicë qeverisëse zoti Afrim dhe largim nuk do shikonte kurrë hetim VIP në Shqipëri, nuk do shikonin kurrë një forcë politike në pushtet e cila vullnetarisht me patriotizëm ka tërhequr duart nga kontrolli i pushtetit të drejtësisë dhe ka pranuar që në trupin e vet të bëhen të gjitha eksperimentet e sallës së korrupsionit. E para është pavarësia”.

Kreu i qeverisë theksoi se ai kërkon një drejtësi europiane dhe jo ruse dhe për këtë tha ai, kjo shumicë i ka vënë në dispozicion trupin sallës së operacioneve kundër korrupsionit.

“Po të kishim folur ne siç po flasim sot do kishim prishur shumë punë, por nuk mund të rrimë sot pa folur dhe duhet të përgatitet zoti Afrim që do dëgjojnë më shumë nga ne tani që SPAK e GJKKO që i ngritëm e mbështetëm ne, i kanë marrë të tjerët në birësim pas pilafit. Ne kemi hyrë në fazën e dytë të drejtësisë europiane dhe jo ruse, është drejtësia ku pavarësia është vetëm një nga kushtet dhe standardi e profesionalizmi janë dy kushtet e tjera. Teksa kërkojmë të bëhemi anëtarë të BE nuk dua që të çohet një holandez e francez si në të shkuarën dhe të thonë që nuk kemi dyshim që Shqipëria ka vullnet, por nuk ka gjykata. Ne nuk përcaktojmë prokurorë e gjyqtarë dhe as nuk përcaktojmë aktet dhe vendimet e tyre. Kjo parti nuk merr rolin e gjykatës e prokurorit. Sa të jetë kjo qeveri, prokurorët e gjykatës mund të bëjnë punën e tyre të pavarur, por ne nuk jemi shurdhmemecë. I kemi vënë në dispozicion trupin tonë sallës së operacioneve kundër korrupsionit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos