IKMT zbarkon sërish në Vlorë, pritet shembja e një objekti te 'Kalaja'

Nga A2 CNN
21 Gusht 2025, 09:17 | Aktualitet

IKMT zbarkon sërish në Vlorë, pritet shembja e një objekti

Një tjetër objekt do të shembet sot në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, ku vijon puna për projektin madhor të “Lungomare 3”.

Prej mëngjesit, godina është rrethuar nga forcat e policisë, ndërsa është vendosur shiriti i sigurisë. Shembja do të kryhet nga mjetet e IKMT-së dhe jo me shpërthim, për shkak të ndjeshmërisë së zonës.

Objekti ndodhet në zonën e njohur si “Kalaja”, ku prej ditësh ka nisur transformimi urban. Puna për prishjet dhe rikonstruksionet është pjesë e projektit të madh të Lungomares, që do të shtrihet nga Tuneli deri te Marina në Orikum, me gjatësi totale 20 kilometra.

Kujtojmë se gjatë këtyre muajve, qeveria e kryeministrit Edi Rama ka ndërmarrë një aksion për shembjen e objekteve pa leje dhe shtesave të ngritura pa leje në lokale të shumta.

Ky aksion po kundërshtohet nga pronarët e bizneseve, por edhe nga opozita, të cilët pretendojnë se ka qenë vetë qeveria Rama që i ka lejuar të ndërtojnë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos