Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, do t’i përcjellë Këshillit të Ministrave, si kandidat për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Ilir Proda dhe vendimi i Qeverisë për këtë kandidaturë do të merret në mbledhjen e radhës, raporton A2 CNN. Njoftimi erdhi pasi Ministria e Brendshme publikoi listën me renditjen e kandidatëve për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Në total në garë morën pjesë 15 kandidatë, nga të cilët vetëm 11 morën pjesë në intervistimin e komisionit të posaçëm, gjatë javës së kaluar. Në komisionin e vlerësimit bënin pjesë zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Brendshme, Suzana Hoxha dhe drejtuesi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani.
Në fund të këtij procesi, ditën e premte 27.09.2024, Komisioni i Posaçëm i dorëzoi në bazë të ligjit Ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar, paraqitur si më poshtë sipas rendit alfabetik:
• Z. Altin Mena
• Z. Ardian Çipa
• Z. Ilir Proda
• Z. Neritan Nallbati
• Z. Skënder Hita
Prej tyre, Hoxha zgjodhi emrin e Drejtorit të Policisë Elbasan për të dërguar për miratim në Kryeministri. (A2 Televizion)