Inceneratori i Tiranës, SPAK detaje për urdhër-arrestet: Janë pastruar rreth 20 milionë euro

Nga A2 CNN
16 Korrik 2024, 17:29 | Aktualitet

SPAK konfirmoi zyrtarisht të martën lëshimin e tetë urdhër-arreste vepër llogari të hetimit të aferës së inceneratorit të Tiranës, por se policia nuk ka mundur të prangosë asnjë prej tyre. Masat e sigurisë janë dhënë për Dashamir Ymerajn, Denisa Tollkuçin, Renardo Nallbanin, Ilir Dedjen, Endrit Habilajn, si edhe shtetasit e huajt Giusepe Ciaffaglione, Marc Lapatt dhe Michael Druijsts.

Ata akuzohen për “mashtrim me pasoja të rënda”, “pastrim të produkteve të veprës penale”, “grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerje të veprave nga organizata kriminale”. Sipas SPAK, në role të caktuara, ata dyshohet të jenë përfshirë në një skemë të pastrimit të parave të një vlerë në total prej 20 milionë euro. Hetimi ka dokumentuar se pastrimi i parave prej tyre dyshohet se është kryer në vijimësi, duke nisur nga lidhja e kontratës koncesionare duke përdorur mekanizma dhe forma të ndryshme të ngritura nga organizatorët e këtij aktiviteti kriminal, me pjesëmarrës shqiptarë e të huaj. Personat pjesëmarrës të këtij grupi kriminal, njofton SPAK, kanë përfituar vlera monetare duke marrë para nga llogaria bankare e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV”, në sajë të mashtrimit përmes krijimit të faturave fiktive, në sajë të shoqërive fiktive të krijuara brenda e jashtë vendit, si edhe përmes tërheqjes së vlerave monetare cash.

Në krye të grupit kriminal, sipas SPAK, qëndrojnë biznesmenët e inceneratorëve Klodian Zoto e Mirel Mërtiri. Tetë urdhër-arrestet janë kërkuar në gjykatë në 29 qershor, ndërsa në 12 korrik SPAK i ka kërkuar policisë të kryejë arrestimet. Tre ditë më vonë, më 15 korrik, Policia e Shtetit ka vënë në dijeni të SPAK se nuk kishte mundur të ekzekutonin asnjë nga masat. Në muajin dhjetor të vitit të shkuar, Gjykata e Posaçme firmosi 15 masa sigurie për hetimin e Inceneratorit të Tiranës. Nëntë prej tyre “arrest në burg”, mes të cilëve “kokat” e inceneratorëve Zoto e Mërtiri, ish-ministri Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako e ish- drejtori i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tushe si edhe 6 masa të tjera “arrest në shtëpi”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos