Hapet konkursi ndërkombëtar, ku 5 studio europiane paraqesin projekt-idetë për Rozafën e re. Kryeministri Rama i pranishëm në aktivitet tha se krahas investimeve në zonë, sfida e qeverisë është çuarja e “Korridorit Blu” deri në Murriqan.
“Ky konkurs ka një vlerë të veçantë edhe për faktin që marrin pjesë edhe 5 studio të mirënjohura ndërkombëtare me reputacion të padyshimtë dhe nga ana tjetër sepse do të sjellë 5 mundësi, një ndër të cilat do të zgjidhet nga juria për të ndërtuar një objekt i cili nuk është thjesht një objekt privat, por është një objekt që ne synojmë të krijojë një ikonë të këtij shekulli për Shkodrën e cila është shumë e pasur me monumente, është shumë e pasur me gjurmë të historisë ku çdo brez ka lënë gjurmën e vet dhe ku kjo ndërtesë do të jetë një gjurmë e cila do t’i shtohet kësaj trashëgimie të Shkodrës për brezat që vijnë.
Nga ana tjetër është pjesë e një vizioni shumë më të gjerë që kombinon së bashku investimet publike të cilat për Shkodrën dhe për gjithë këtë territor që shkon deri lart në Thethin e mrekullueshëm apo që shtrihet deri në kufirin me Malin e Zi, po shtohen dita-ditës dhe patjetër që duke konsideruar domosdoshmërinë e një lidhjeje shumë të shpejtë dhe shumë të sigurt të Shkodrës qoftë me veriun lart, qoftë me Tiranën dhe me jugun, kryesore mbetet sfida për ndërtimin deri në Murriqan të Korridorit Blu i cili tanimë e ka një segment të përfunduar dhe të prekshëm për të gjithë në aksin Thumanë-Kashar, por që do të vazhdojë me segmente të tjera që do lidhin praktikisht Balldrenin me Milotin, Milotin me Murriqanin dhe sigurisht edhe pastaj Balldrenin me Thumanën.
Për të gjitha këto, ne i kemi të qartë edhe hapat edhe në ndërkohë një pjesë të rëndësishme të punës për projektet e kemi bërë dhe për pak ditë do të lidhen edhe kontratat e reja për segmentet me poshtë nga Thumana në Kashar tanimë e kemi, nga Kashari pastaj në Rrogozhinë, nga Rrogozhina në Fier dhe kështu koha e lidhjes së Shkodrës me Tiranën, brenda kësaj dekade do të jetë rreth 40-45 minuta, ndërkohë që koha e lidhjes së Shkodrës me jugun poshtë do të jetë sa ç‘është sot koha e lidhjes me Tiranën, pra do të mund të shkohet deri në Vlorë për 2 orë”. (A2 Televizion)