Dy javë pas nisjes së punimeve për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës, paralelisht kanë nisur punimet edhe në aksin tjetër që lidh kryeqytetin me qytetin bregdetar, që e ka pikënisjen në Kombinat dhe përfundon në zonën e Plepave.
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se është ndezur drita jeshile edhe për rrugën e vjetër Kombinat - Ndroq – Plepa, raporton A2.
Shefi i qeverisë përmes disa fotove tregon se ka nisur tashmë rindërtimi për segmentin e parë të këtij aksi, deri në Pezë-Helmës dhe më pas do të vijojë me segmentin tjetër.
“Do të vijojë deri në përfundimin e projektit të zgjerimit e rehabilitimit të plotë të këtij aksi, i cili do t’i shërbejë zhvillimit të mëtejshëm të krejt zonës, si edhe Shqipërisë Turistike me një tjetër rrugë panoramike për vizitorët e turistët e shumtë”, shkruan Rama. (A2 Televizion)