Juristi Ledio Braho është shprehur se sot për të zgjidhur një mosmarrëveshje pune në Gjykatën Administrative të Apelit, duhen të paktën 12 vite.
Komentet Braho i bëri në emisionin ‘Debat’ me gazetaren Alba Alishani në A2 CNN, ku tha se vendet në këtë gjykatë janë bosh, pasi anëtarët e KPA dërgojnë shkresa ku thonë se ato pozicione duhet të ruhen për ta.
Ai tha se shumë çështje në këtë gjykatë kanë që nga viti 2013 që nuk janë zgjidhur dhe shtoi se Reforma në Drejtësi ka shkaktuar problematika të shumta.
“Po të shohësh statistikat, sot në Gjykatën e Apelit Administrativ duhen 12 vite që një çështje nga momenti që depozitohet në ankimim të zgjidhet. Gjykata e Apelit Administrativ rri bosh, sepse anëtarët e KPA-së dërgojnë shkresa ku shkruajnë ‘na ruani vendet, sepse janë vende të destinuara për ne’.
Tani, një shoqëri e tërë vuan këtë lloj mungese të drejtësisë, sepse duhet të ruhen vendet për anëtarët e KPA-së. Gjykata Administrative është e vetmja gjykatë që gjykon abuzimin e shtetit me qytetarët. Sepse çdo mosmarrëveshje që ti ke me shtetin, e bën përmes kësaj gjykate.
Ne kemi sot që po zgjidhen mosmarrëveshje të punës që nga viti 2013. Për natyre pune, po për gjëra më të mëdha, që janë më të kushtueshme dhe mund të marrin 15-20 vite”, tha Braho, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)