Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, nga radhët e PS, Alfred Muharremi ka rrëfyer në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN jetën e tij të vështirë, si i rritur jetim në fshatin SOS dhe sesi ia ka dalë të gjejë prindërit e tij biologjikë dhe të ndërtojë një raport të afërt me ta.
Ai u shpreh se ndihet njeriu më me fat në botë, pavarësisht viteve të vështira që ka kaluar pa ngrohtësinë e dorës prindërore.
“Unë sot jam babai i një fëmije. Sot unë kam gjetur prindërit e mi biologjikë. Unë sot vazhdoj dhe e citoj në gjithë shoqërinë e të gjithë komunitetin që jam njeriu më me fat në botë, pasi unë kam tre familje. Është ajo familja ime e fatit, pra motrat dhe vëllezërit e mi që për shkak të historive të cilët na bashkon i njëjti përkufizim që nuk mundemi, nuk mundeshim dot të thonim nënë dhe baba, po mundeshim të thonim vëlla dhe motër për shkak të fatit dhe jo të gjakut. Rruga ime nis nga një braktisje më saktë e nënës time, të cilën edhe sot e kësaj dite nuk kam arritur kurrë ta kuptoj, por arrij të kuptoj vitet e tranzicionit që kanë qenë shumë të vështira për shumë familje shqiptare dhe ndoshta këto vite kanë qenë dhe të pasigurta edhe për shumë familje dhe unë jam dhe një ndër to. Dhe kjo rrugë ka nisur duke qenë unë përfitues i shërbimeve që merrja nga institucionet e përkujdesit rezidencial. Ka qenë një rrugë shumë e vështirë,, një rrugë me shumë sakrificë”, rrëfeu Muharremi në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN. (A2 Televizion)