Administratori i shkollës “Ernest Koliqi”, Ermal Hasimja, i ftuar në Çdo Kënd me Merita Haklajn foli me problematikat që po hasin të rinjtë sot dhe ndihma që iu ofrojnë shoqëria, familja apo shkollat në përballimin e tyre.
Hasimja ishte kritik për modelet që po iu ofrohen të rinjve sot në televizione apo rrjetet sociale të cilët në një farë mënyrë tregojnë se krimi shpërblen.
“Problemi i parë është modelet që iu japim të rinjve. Ne i shohim kriminelët të jenë të respektuar kudo, në rrjete sociale, televizor dhe përfundojnë dhe deputetë. Të rinjtë kur shohin këto gjëra kuptojnë që krimi paguan dhe të shpërblen”, tha ai.
Hasimja shtoi se një problem tjetër është dëmtimi i rolit të mësuesit. Sistemi tregoi administratori i shkollës i jep të drejtë prindit, dhe në këtë mënyrë mësuesi është lënë i pambrojtur dhe nën presion.
“Është dëmtuar hallka e parandalimit të dhunës që është mësuesi. E kemi kthyer shkollën sot në një vend ku mësuesi nuk guxon të kundërshtojë prindin dhe nuk guxon të kundërshton as nxënësin sepse nëse ai ngre zërin apo të tregohet autoritar, vjen prindi që e kap për fyti. Është edhe sistemi që i jep të drejtën prindit.
Mësuesi është një ndërsa prindërit janë edhe votues. Mjaftojnë 5 prindër me ego të sëmurë dhe që nuk kanë arsimimin e duhur dhe i bëjnë presion mësuesit dhe ai e ul stekën për të gjithë klasën. Kemi çaktivizuar mësuesin dhe e kemi lënë të pambrojtur”, tha Hasimja në Çdo Kënd. (A2 Televizion)