Ulja e kërkesës ka bërë që në ditët e fundit të vitit çmimi i të ashtuquajturit mbret i tavolinës në natën e ndërrimit të viteve, gjeli i detit, të ulet ndjeshëm.
Të paktën kjo është situata në zonën e Fierit dhe Vlorës, ku rritësit e gjelave dhe pulave të detit po dalin buzë rrugëve nacionale dhe autostradave për të shitur. Ata shprehen se vitin e kaluar shitja e gjelit të detit ka qenë më e mirë, ndërsa këtë vit kërkesa është shumë e ulët, edhe pse çmimi ka rënë. A2 ka ndaluar në afërsi të Cakranit, buzë rrugës nacionale Levan-Tepelenë.
Edhe ata pak që ndalojnë për të blerë këto shpendë janë emigrantë që vijnë enkas nga Greqia. E njëjta situatë është edhe në tregun e improvizuar në hyrje të qytetit të Vlorës.
Tregtarët thonë se, ndërsa ata pak të interesuar që vizitojnë tregun, shprehen se sërish nuk i përballojnë dot çmimet.
Një pensionist nga Vlora shprehet se ditët e fundit të vitit mbeten shpresa e këtyre tregtarëve për të shitur gjelat që kanë rritur, ashtu siç edhe një pjesë e mirë e qytetarëve presin ditët e fundit, ndoshta për të kapur çmime më të ulëta. (A2 Televizion)