KLP miraton drejtuesit e përkohshëm të katër prokurorive

Nga A2 CNN
20 Mars 2025, 14:30 | Aktualitet

KLP miraton drejtuesit e përkohshëm të katër prokurorive

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi ditën e sotme seancë plenare, në prani të 8 (tetë) anëtarëve të Këshillit dhe përfaqësuesëve nga Ministria e Drejtësisë dhe projekti EU 4 JUSTICE.

Në nisje të seancës, rendit të ditës iu shtua për diskutim propozimi për caktimin e përkohshëm të drejtueses së Prokurorisë Korçë, Dhorina Theodhori, i cili u miratua unanimisht.

Gjatë kësaj mbledhjeje, u miratua caktimi i prokurorëve në pozicionet vakante Nr. 1 dhe Nr. 2, sipas procedurës së lëvizjes paralele, në Prokurorinë e Tiranës. Pasi u njoh me relacionet e përgatitura nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, Këshilli miratoi unanimisht caktimin e znj. Vitjuna Mata për pozicionin Nr. 1 dhe z. Gentjan Abazaj, në pozicionin Nr. 2.

Në vijim, u miratuan përkohësisht drejtuesit e 3 (tre) prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër, Berat dhe Elbasan, për një afat 3-mujor. Pasi u njoh më propozimet e sjella nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, Këshilli miratoi si vijon;

Albert Murçaj         Drejtues i Prokurorisë Shkodër;

Edina Kurti             Drejtuese e Prokurorisë Berat;

Kreshnik Ajazi        Drejtues i Prokurorisë Elbasan;

Gjithashtu, Këshilli miratoi projektvendimin për shpalljen e pozicionit vakant për drejtues në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.

Në përfundim, Këshilli miratoi unanimisht edhe raportin vjetor të punës së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, për vitin 2024. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos